Ceremonia e fillimit të detyrës për drejtuesin e ri të SPAK, Altin Dumanit u zhvillua mëngjesin e ditës së sotme.
Të pranishëm në këtë ceremoni kanë qenë krahas Altin Dumanit, edhe kreu i KLP-së Alfred Balla dhe po ashtu ish-kreu i SPAK, Arben Kraja.
Gjatë fjalës së tij në këtë ceremoni, kreu i KLP-së, Balla i ka uruar Dumanit suksese teksa ka thënë se SPAK do të kënaqë pritshmëritë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të qytetarëve shqiptarë.
Alfred Balla: Dumanit gjejmë rastin t’i urojmë suksese. Puna e mirë e nisur që nga themelimi do të vazhdojë, kjo strukturë është konsoliduar. Shpresojmë ta plotësojmë organikën dhe me 3 prokurorë të tjerë. 17 prokurorë në këtë situatë ku ndodhet prokuroria shqiptare janë mjaftueshëm. Kjo strukturë do të arrijë të kënaqë pritshmëritë tona dhe si këshill dhe të qytetarëve.
Pas kampionatit botëror, zgjedhja e kreut të SPAK ishte evenimenti që bëri shqiptarët të rrinin para televizionit. Ngarkesa ishte tepër e lartë, dhe interesi i qytetarëve për këtë proces. Gara ishte e bukur u fokusua tek 2 shefat e sektorëve dhe Dumani e fitoi. I përgëzoj për kandidimin dhe 2 kandidatët e tjerë.
Procesi ishte transparent dhe ja ku jemi, t’i urojmë Dumanit dhe një 3 vjeçar të suksesshëm në krye të kësaj strukture që do të ecë në pritshmëritë tona dhe të qytetarëve.
Gjithashtu, ish-kreu i SPAK i ka uruar Dumanit suksese në detyrën e re, teksa është shprehur i bindur se Dumani do ta çojë shumë më përpara institucionin e SPAK.
Arben Kraja: Jam i bindur se Dumani do ta çojë shumë më përpara institucionin.
/a.r