Grupi paramilitar rus, i quajtur Wagner, ka mbërritur në Serbi, sipas një deklarate të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për gazetën gjermane “Der Spigel”.
Kreu i qeverisë kosovare thotë se Beogradi ka 48 baza ushtarake në kufi me Kosovën dhe se qeveria serbe ka rritur bashkëpunimin me Rusinë. Ky bashkëpunim përfshin sipas tij edhe mbërritjen e mercenarëve të Wagner në territorin serb.
Wagner ka krijuar një reputacion famëkeq vitet e fundit, pasi akuzohet për krime lufte në konfliktet e ndryshme ku ka marrë pjesë. Edhe pse prezantohet si kompani private ushtarake, grupi konsiderohet si një ushtri personale e presidentit rus, Vladimir Putin.
Shtimin e trupave në kufirin mes dy shteteve e ka denoncuar edhe deputeti i Vetëvendosjes, Arbër Rexhaj, i cili thekson se mesditën e së dielës mbërrijnë në Jarinje serbët pro rusë nga Serbia, Mali i Zi dhe Republika Serbe e Bosnje Hercegovinës.
Barrikadat e vendosura nga serbët në veri të Kosovës kanë hyrë në ditën e nëntë, ndërkohë që nuk ka asnjë lëvizje për largimin e tyre. Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç ka kërcënuar se mjafton një përplasje për t’i vënë flakën gjithçkaje.
/e.d