“Prespektiva të reja për Kukësin” është programi më i ri i Britanisë së Madhe që do të ofrojë kualifikime dhe do të krijojë vende pune në mënyrë që qytetarët të qëndrojnë në Kukës.
I ftuar në emsionin “Opinion” në Tv Klan, ambasadori britanik Alastair King-Smith ka thënë se ky program ka vlerë rreth 8.3 milionë paund teksa ka shtuar se do të punohet me qeverinë shqiptare për t’i ndihmuar komunitetet në Shqipëri në mënyrë që njerëzit të kenë një të ardhme pozitive.
Blendi Fevziu: Pak muaj më parë ju thatë se Mbretëria e Bashkuar do të jetë e fokusuar edhe në investime dhe projekte zhvillimi në veri të Shqipërisë. Cfare do te thote ajo saktësisht?
Ambasadori Alastair King-Smith: Ne kemi nisur tashmë një program të ri në qarkun e Kukësit, të quajtur Perspektiva të Reja për Kukësin, që do të ofrojë kualifikime dhe do të krijojë vende pune, që do të thotë se njerëzit do të kenë më shumë mundësi të qëndrojnë. Unë e kam të qartë se një nga arsyet pse njerëzit mund të mendojnë se janë të detyruar të largohen nga Shqipëria, dhe më pas përfundojnë në rrjetet e trafikantëve, është sepse mendojnë se nuk ka asgjë për ta në vendin e tyre. Tani Mbretëria e Bashkuar po i dyfishon përpjekjet e veta. Dhe kjo përmban një sërë elementesh dhe është gjithashtu pjesë e Komunikatës së Përbashkët. Ne do të investojmë për zhvillimin ekonomik. Kemi në dispozicion dy miliardë paund financime për eksporte në Mbretërinë e Bashkuar që mund të përdoren për të mbështetur projekte strategjike në infrastruktura. Ashtu siç kemi projekte që nuk janë më vetëm për Kukësin, por do t’i zgjerojmë edhe në zona të tjera, në Dibër e më tej.
Blendi Fevziu: Sa është buxheti i projektit?
Ambasadori Alastair King-Smith: Deri tani programi ka vlerë rreth 8.3 milionë paund. Por unë e kam ngritur këtë çështje në Londër, dhe duhet ta rrisim financimin ndjeshëm. Dhe sigurisht që nuk jemi vetëm ne. Është edhe qeveria e Shqipërisë, janë edhe donatorë dhe partnerë të tjerë. Ne do të punojmë së bashku për t’i ndihmuar vërtet ato komunitet që njerëzit të kenë një të ardhme pozitive.
Blendi Fevziu: Kryesisht në Veri, por gjithashtu edhe në pjesë të tjera të Shqipërisë.
Ambasadori Alastair King-Smith: Ne dëshirojmë që kjo të kthehet në diçka prej të cilës përfiton e gjithë Shqipëria, por pa dyshim që do të përqëndrohemi atje ku janë këto sfida specifike, që i bëjnë njerëzit të largohen.
/a.r