Kreu i Kadastrës Artan Lame i ftuar në “Milori Live” në Klan News foli mbi mënyrën si po procedohet me ndërtimet pa leje në vend dhe pallatet e braktisura.
Lame tha se aksioni që ka nisur për prishjen apo konfiskimin e ndërtimeve pa leje nuk po prek objekte që janë “shtëpia e dikujt” por që janë ndërtuar për qëllime fitimi. Ai theksoi se kjo histori e nisur prej vitesh, ka arritur në pikën ku nuk ka më tolerim dhe çdo objekt i palegalizuar do t’i kalojë shtetit ose do të shembet.
Pjesë nga intervista në studio:
Lame: Prishja e sotme në Durrës nga IKMT-ja dhe deklarata e kryeministrit për vijimin e konfiskimeve dhe deklarata e kryetarit të bashkisë për “histerisë” apo “marrësizë” ta citojmë tamam e ndërtimeve pa leje janë pjesë e këtij kërbaçi. Kushdo nga ne e thotë, mjaft më me ndërtime pa leje, jemi në 2022-in, po mbyllim 2022-in.
Është një histori që ka filluar që në vitet ’90, është bërë disa herë amnisti, është thënë disa herë mjaft, mjaft, mjaft! Ky është ai mjafti i fortë, dhe pjesë e këtij mjafti të fortë është dhe VKM-ja e nxjerrë nga qeveria për konfiskimin e këtyre objekteve, për të kaluar një hap më tej: Do të të merret vëlla, mos e bëj se do të të merret!
Kjo është pjesa e kërbaçit le të themi, pjesa e kulaçit që lidhet mepunën time, ka të bëjë jo më me ata që kanë ndërtuar për fitim, sepse të gjitha pallatet e sekuestruara janë pallate jo ku do banonte…
Më lejon, pa dashur as të fyej njeri, ku do i banonte oligarku i radhës, po përdor termin oligarku. Po i bie në këtë kurthin e “oligarkllëkut”. Këto nuk janë pallate ku banonte ai dhe po shkojmë e i prishim shtëpinë, janë pallate për qëllim përfitimi. Pra, do shiteshin. Nuk është se po i prishim shtëpinë e jetës dikujt, janë pallate që po merren sepse ti po shkelje lejen për të përfituar. Ndërsa ato që legalizohen tek unë janë shtëpitë ku vetë qytetari ka çatinë e tij mbi kokë. Kjo është diferenca në themel.
Pyetje: Por mendoni se ky aksion që ka nisur për ndërtimet pa leje, prishje ndërtimesh pa leje, duke u prekur dhe emra të fortë, do të jetë afatgjatë, fushatë apo është selektiv në opinionin tuaj?
Lame: Varet nga kurrizi, pra nëqoftëse kurrizi nuk do dëgjojë, do vazhdojë. Nëqoftëse do kuptohet se qenka serioze kjo punë, do ndërpritet. Turqit nuk e kanë nxjerrë kot atë që dajaku ka dalë nga xheneti dhe funksionoka. Nuk është e mirë, ta hajë dreqi, sepse sidoqoftë janë para që janë hedhur, njerëz që janë punësuar por duhet të vijë një moment kur realisht të thuhet mjaft, stop, nuk vazhdohet më kështu, s’ka asgjë të mirë nga kjo.
/a.r