Mijëra vetë u mblodhën të enjten në Stamboll për të kundërshtuar dënimin me mbi dy vjet burg dhe ndalimin e aktivitetit politik të kryebashkiakut të Stambollit EkremImamoglu, duke brohoritur parulla dhe kritika ndaj presidentit Tajip Erdogan dhe partisë së tij në pushtet AK.
Ndërsa dëgjonte muzikë patriotike, turma valëviti flamurin kombëtar përpara ndërtesës së bashkisë së Stambollit, e cila është mbështjellë me një portret të madh të Mustafa Kemal Ataturkut, themeluesit të Turqisë moderne, parimet laike të të cilit kundërshtohen nga Erdogani.
Një gjykatë turke dënoi kryebashkiakun Imamoglu për fyerje të zyrtarëve publikë për një fjalim që mbajti pas fitores së zgjedhjeve në vitin 2019.
“Të drejtat, ligji, drejtësia… Do të vijë dita kur AKP do të përgjigjet,” thërriste turma.
“Ne erdhëm këtu sot për të treguar se duam të vazhdojmë të jetojmë në një vend të sunduar nga ligji. Mendojmë se ligji është shkelur. Ne erdhëm për të mbrojtur të drejtat tona dhe votat e banorëve të Stambollit.”
Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të vitit të ardhshëm, që do të mbahen deri në qershor, mund të dëshmojnë një nga sfidat më të mëdha politike për dy dekadat e Erdoganit në pushtet, pasi turqit po përballen me rritjen e kostove të jetesës dhe një monedhë në rënie. Lira ra në një nivel rekord të ulët kundrejt dollarit këtë javë.
“Ju i mundët ata dy herë dhe do ta bëni përsëri. Të 16 milionë banorët e Stambollit, kombi ynë dhe aleanca jonë e madhe e Turqisë janë pas meje. Ne do ta ndryshojmë këtë rend në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.”
Aleanca gjashtëpartiake e opozitës e krijuar kundër Erdoganit, e udhëhequr nga Partia Popullore Republikane (CHP) e Imamoglut, ende nuk ka rënë dakord për një kandidat për president. Imamoglu është cilësuar si një sfidues i mundshëm dhe sondazhet sugjerojnë se ai mund ta mundë Erdoganin.
Vendimi i gjykatës, nëse do të miratohet nga Gjykata e Apelit, do ta ndalojë atë të kandidojë.
/a.r