Një krim i ndodhur në Majin e vitit 2017 është zbardhur 5 vite më vonë nga Policia e Tiranës. Kufoma e gjetur Kodër Shupal, e dekompozuar dhe e djegur në 2017, është identifikuar nga policia përmes provave shkencore.
Ai është Menduh Shaban Kurt-Deda 61 vjeç. Viktima ishte rrëmbyer, lidhur, dhunuar dhe më pas djegur duke humbur jetën.
Për këtë ngjarje, policia ka ndaluar dy persona. Ata janë Gazmir Ngota 39 vjeç dhe Marjeta Karaj 56 vjeç. Në kërkim është djali i kësaj të fundit, Besmir Karaj 34 vjeç, i cili ndodhet në Itali.
Sipas informacioneve policore, viktima dhe Marjeta Karaj punonin së bashku në një organizatë të krijuar prej tyre.
Por një borxh i pakthyer ishte shkak i ngjarjes rëndë. Policia deklaroi se viktima u kishte borxh personave të ndaluar. Mësohet se 61-vjeçari i detyrohej 10 milionë Lekë të vjetra Marjeta Karajt.
Për të marrë paratë, Marjeta Karaj, djali i saj dhe shoku i djalit Gazmir Ngota 39 vjeç kishin lënë takim në 2017 tek zona e Xhamllikut me Menduh Shaban Kurt-Dedën. Aty e morën me forcë e çuan në zonën e Alliasit, ku e dhunuan.
Prej andej, Besmir Karaj dhe shoku i tij Gazmir Ngota 39 vjeç e dërguan me makinë 61-vjeçarin në një zonë të pyllëzuar në Kodër Shupal, ku e lidhën, e dhunuan dhe e dogjën me lëndë djegëse duke i shkaktuar vdekjen.
Viktima u identifikua pas 5 vitesh nga këmbë e majtë pasi nuk ishte djegur dhe dekompozuar plotësisht.
Dy të arrestuarit dhe i shpalluri në kërkim akuzohen për vrasje me dashje të kryer në bashkëpunim.
/a.r