Në shtetin indian Tamil Nadu, ekziston një qytet eksperimental që quhet Auroville, ndryshe i njohur si qyteti i lindjes së diellit.
Ky qytet është themeluar nga Mira Alfas, që pasuesit e saj kanë dëshirë ta quajnë “Nëna”. Ideja ishte që në botë të krijohet një vend në të cilin gratë dhe burrat do të jetonin në paqe dhe harmoni, pavarësisht kombësisë, fesë apo pikëpamjeve politike.
Në këtë qytet çdo qytetar ka rolin e vet, kurse e gjithë vëmendja është e fokusuar në edukimin dhe zhvillimin e aftësive krijuese. Më parë mendohej se në Auroville kanë jetuar 50.000 banorë, megjithatë, sot jetojnë më pak se 1.800 të rritur dhe 500 fëmijë nga pjesë të ndryshme të botës, transmeton Telegrafi.
Auroville është kryesisht i banuar nga indianët me afro 1.000 banorë, derisa qindra njerëz tjerë vijnë nga Franca, Italia dhe Gjermania, por në këtë qytet janë zhvendosur edhe një numër i konsiderueshëm i amerikanëve, rusëve, spanjollëve dhe suedezëve. Numri minimal i njerëzve janë nga Japonia, Korea dhe Australia, por aty jetojnë edhe gjashtë persona nga Sllovenia.
Qyteti pjesërisht financohet përmes donacioneve, kurse burim kryesor të ushqimit ka produktet organike që banorët e këtij vendi i kultivojnë. Për të mbijetuar ata merren me prodhimin e produkteve të letrës, dhe shkopinjve aromatik që i shesin në fshatrat dhe qytetet fqinje. Në aspekte të caktuara të organizimit të jetë, ata kanë sistem të ngjashëm me atë të komunës andaluziane Marinaled në jug të Spanjës.
Kartëmonedhat dhe monedhat nuk ekzistojnë fare, kurse gjithë banorët gjatë blerjes shkëmbejnë mallra duke përdorur llogaritë elektronike dhe karta krediti Aurocard. Përveç kësaj, çdo banor ndan një pjesë të burimeve të tij për komunitetin, në mënyrë që të gjithë të mund të plotësojnë nevojat e tyre jetësore. Në qytet nuk ka vetura, kurse mjeti kryesor për transport janë biçikletat.
Qyteti është i pavarur dhe nuk i jep llogari askujt, kështu banorët e tij nuk i brengos as politika e brendshme por as ajo e jashtme. Banorët çdo ditë vizitojnë tempullin Matrimandir që gjendet në zemër të qytetit, pranë të cilit gjejnë paqen e brendshme përmes jogës dhe meditimit. Auroville është një parajsë për hipit.