Një infeksion viral, i njohur si gripi i syrit po qarkullon në vend. Ky infeksion shkakton skuqje dhe lotim të syve, ndërsa mjekët thonë se ka pasur shtim të rasteve gjatë kësaj periudhe.
“Ka një periudhë dy mujore që ka pasur shtim të rasteve të konsiderueshme nga një virus që shkakton imflamacion të syrit, me shenja të tilla skuqje e madhe e syrit, me lotim të shtuar”, shprehet mjekja Nora Burda.
Tek fëmijët shfaqja e këtij infeksioni vjen edhe për shkak të virozave, megjithatë mjekja okuliste Burda thotë se prek të gjitha kategoritë e moshave.
“Nëpër kopshte dhe çerdhe përhapet sepse fëmijët prekin lodrat dhe sytë. Edhe në ambiente që janë kolektive si banka, institucione, që ka shumë njërëz që punojnë me të njëjtat materiale infektohen. Gjithashtu edhe në familje. Unë kam pasur raste që ka ardhur babai, pas një jave ka ardhur bashkëshortja dhe fëmijët. Tek fëmijët ndikojnë edhe virozat”, thotë ajo.
Mjekja thekson se gripi i syrit përhapet nga një person te tjetri dhe nëse nuk mjekohet lë pasoja të rënda për shikimin.
“Ky inflamacion lë disa pasoja nëse nuk mjekohet, prek xhamin e syrit dhe pacienti ankohet duke thënë se unë shikoj pulla pulla, i dëmtohet pjesa e të parit dhe në raste ekstreme mund të përfundojë në verbim. Nëse pacientët vërejnë se njëri sy i skuqet dhe vërejnë një gjendër, duhet të shkojnë menjëherë për kontroll dhe të ruajnë higjenën”, thotë mjekja.
Për të shmangur infeksion viral është e rëndësishme të ruhet higjiena personale dhe të mos kontaktohen personat që janë të prekur.
/s.f