Ambasadorja amerikanë në Tiranë, Yuri Kim, ka zhvilluar një takim me kryeministrin Edi Rama.
Takimi vjen në kulmin e spekulimeve mediatike, se marrëdhënia e tyre është prishur për shkak të zgjedhjes së kreut të ri të SPAK.
“Ambasadorja Kim u takua me kryeministrin Rama më 12 dhjetor për të rishikuar arritjet në marrëdhënien SHBA-Shqipëri gjatë vitit 2022 dhe për të diskutuar mënyrat për të vazhduar forcimin e bashkëpunimit tonë në fushën e demokracisë, mbrojtjes dhe biznesit gjatë vitit 2023.
Ambasadorja Kim shprehu vlerësimin e Shteteve të Bashkuara për udhëheqësinë dhe kontributet e rëndësishme të Shqipërisë gjatë vitit të parë të saj në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Roli i Shqipërisë në KSKB ka qenë me rëndësi kritike për çështje të rëndësishme globale, përfshi mbështetjen e Ukrainës përballë pushtimit nga Rusia.
Ambasadorja Kim njohu kontributet e Shqipërisë në integrimin dhe stabilitetin rajonal, përfshi gjatë thirrjeve të Shqipërisë për vetëpërmbajtje në veriun e Kosovës.
Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë dënuar të gjitha sulmet ndaj agjencive kosovare dhe ndërkombëtare të sigurisë si dhe kërcënimet për dhunë dhe kanosje, si dhe shprehën mbështetje të plotë për KFOR-in dhe EULEX-in.
Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë nxitur palët që të punojnë brenda kuadrit të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështjet që përbëjnë shqetësim.
Ata diskutuan mënyrat për të ndërtuar më tej mbi arritjet historike në marrëdhëniet e mbrojtjes SHBA-Shqipëri, përfshi aftësitë dhe kontributet ushtarake në rritje të Shqipërisë si aleate në NATO. Ambasadorja riafirmoi mbështetjen e fortë të Shqipërisë përballë sulmeve kibernetike të Iranit.
Ambasadorja Kim i përcolli përgëzime të ngrohta kryeministrit për mikpritjen e suksesshme të Samitit historik BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, duke vërejtur se është hera e parë që një samit i tillë është zhvilluar jashtë Brukselit.
Ajo ritheksoi se Shtetet e Bashkuara mbështesin vendosmërisht integrimin e plotë të Shqipërisë si anëtare e BE-së.
Në këtë kontekst, ata diskutuan arritjet, si dhe sfidat, në zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri.
Ata ishin në një mendje se është kritike që institucionet e drejtësisë të Shqipërisë të jenë të pavarura dhe të guximshme në ushtrimin e detyrave dhe përgjegjësive të tyre.
Ambasadorja Kim dhe kryeministri Rama pohuan se, teksa mbyllim vitin që shënon 100 vjet nga vendosja fillestare e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri, partneriteti ynë është më i fortë se kurrë”, thuhet në njoftimin e Ambasadës amerikane./m.j