Komisioni për Sigurinë Kombëtare ka nisur me debate të forta mes deputetëve të mazhorancës dhe atyre të opozitës.
Deputeti demokrat Ervin Salianji është rikthyer pas tek sulmi fizik ndaj Sali Berishës, duke thënë se institucionet kanë dështuar për mbrojtjen e tij. Sipas Salianjit, kryeministri Edi Rama është personi i cili nxit dhunë.
“Ka vetëm një nxitës të urrejtjes dhe dhunës në këtë vend. Nxit më dhunë dhe i turret opozitës. Nuk mund të jem dot serioz me ju.
Karagjoz jeni në përfaqësim dhe në mënyrën e të folurit. Kush nuk e dënon gjuhën e urrejtjes. Do t’ju bjeri në kokë kjo, do ju kapin njerëzit me shpulla.
Ka ndodhur një ngjarje e rëndë, pavarësisht se është thënë që protesta apo tubimi i organizuar në tubim, mund të keqpërdoret nga shërbime të huaja.” tha Salianji.
Ndërkohë ai ka kërkuar që dhuna ndaj Sali Berishës të dënohet pa dallime partiake dhe të mbahet qëndrim. “Institucionet kanë dështuar që të mbrojnë.
Kam kërkesë se për shkak të gjendjes së rëndë dhe dhunës që u godit Sali Berisha, propozoj që të gjithë bashkë ta dënojmë këtë akt. Të mbahet qëndrim dhe tu jepet mbështetje policisë për tu ndarë nga ndikimi politik.” tha Salianji.
E menjëhershme ka qenë përgjigja e ministres Elisa Spiropali, e cila ka ironizuar Salianjin duke thënë se ai ka mbajtur në dorë shkop bejsbolli për tu mbrojtur nga dhuna.
“Dënohet dhuna edhe nga ata që kanë mbajtur në dorë shkop bejsbolli për tu mbrojtur nga ata dhe mësymjet e tyre, që për arsye të dhunës nuk kanë gjetur gjuhë tjetër.” tha Spiropali./m.j