Duken si destinacione të largëta për t’u arritur dhe në më të shumtën e rasteve i dëgjojmë si vende që përdoren për të regjistruar kompani “offshore”. E megjithatë, bizneset shqiptare ia kanë dalë të eksportojnë mallra të prekshme edhe në ishujt ekzotikë.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se eksportet drejt ishujve Cayman u pesëfishuan në vitin 2015, duke arritur në 1 miliard lekë. Edhe drejt ishujve të padëgjuar Marshall, eksportet janë gjashtëfishuar, ndonëse duke u nisur nga një bazë e vogël.
Por cili është produkti që ka arritur të depërtojë në këto tregje të largëta?
Sipas të dhënave të detajuara nga INSTAT, kanë qenë eksportuesit e xeherorëve ata që kanë gjetur këto destinacione, në përpjekje për të amortizuar uljen e eksporteve drejt Kinës. Ishujt Cayman janë bërë në 2015-n destinacioni i dytë i këtij grupi, pas Kinës. Drejt kësaj të fundit eksportet e xeherorëve ranë me 26%. Ndërsa eksportet e këtij grupi në total ranë me 4%, pikërisht për shkak të gjetjes së tregjeve të reja.
Me gati 12 miliardë lekë, xeherorët, zgjyra dhe hiri janë kapitulli i 6 më i eksportuar, nga 99 kapitujt që raporton INSTAT në statistikat e tij dhe zënë gati 5% të totalit të eksporteve.
Përveç ishujve Cayman dhe Marshall destinacione të tjera të largëta ku kompanitë shqiptare kanë arritur të eksportojnë këtë produkt janë Hong Kongu, Emiratet e Bashkuata etj.
MONITOR