Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e cilësoi si veprim të pamatur arrestimin e ish-pjesëtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiç, nga autoritetet kosovare.
“Shërbimet tona e kanë hetuar shumë seriozisht të gjithë rastin. Unë bisedova me partnerët ndërkombëtarë dhe theksova pamaturinë e atyre që kryen një veprim të tillë dhe kërcënuan edhe një herë paqen”, tha Vuçiç gjatë një konference për media.
Kosova njoftoi se ka arrestuar më 10 dhjetor ish-policin Dejan Pantiç, të cilin e akuzon për organizimin e “sulmit terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.
Pas arrestimit të Pantiçit, serbët lokalë kanë bllokuar rrugët në veri, duke shtyrë Policinë e Kosovës të mbyllë përkohësisht pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë.
“Pantiç është ende në bazën e Policisë së Kosovës në Leposaviq dhe për këtë janë përgjigjur serbët”, tha Vuçiç.
Sipas Vuçiçit, Pantiç jeton në ndërtesën ku gjendet edhe njëra nga zyrat e komisioneve komunale, që u dëmtuan gjatë 6 dhjetorit, kur zyrtarët zgjedhorë, nën përcjelljen e Policisë, kishin tentuar të shkonin./m.j