Kryediplomati austriak, Sebastian Kurz, ka qëndruar të enjten në Prishtinë, ku ka lënë porosi për të dyja kampet politike. Qeverisë i ka përmendur korrupsionin e opozitës dhunën, shkruan Koha Ditore. Kurz ka vizituar Kosovën në kuadër të një turi rajonal, temë qendrore e të cilit ka qenë migrimi dhe menaxhimi i refugjatëve nga Lindja e Mesme që po e shfrytëzojnë Ballkanin si rrugë për të hyrë në vendet e Bashkimit Evropian.
Në Prishtinë ka takuar kryeministrin Isa Mustafa e zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi. Konferencë shtypi kanë mbajtur pas takimit me Thaçin. Kreu i politikës së jashtme të Austrisë si çështje të parë ka ngritur krizën politike në Kosovë.
Kriza politike në vend burim ka Marrëveshjen për parimet e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe Marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi. E para është ndërmjetësuar nga BE-ja, ndërsa e dyta është firmosur në Vjenë, në praninë e ministrit Kurz.