Kreu i Aleancës për Akmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka vizituar në spital policin e plagosur në veri të Kosovës, Ekrem Nezirin. Ai tha se kushdo që përballej me policinë e Kosovës do të jepte llogari para drejtësisë.
“Falënderues ndaj gjithë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës për shërbimin ndaj Atdheut, në këtë situatë të brishtë në veri të vendit. Policit të plagosur, Ekrem Neziri, i urova shërim të shpejtë. Falënderoj të gjithë ekipin mjekësor në QKUK për kujdesin ndaj tij. Kushdo që përballet me Policinë e Kosovës, të japë llogari para Drejtësisë!”, shkroi Haradinaj.
Plagosja e një efektivi policie në veri të Kosovës, ka shtuar tensionet me Prishtinës dhe Beogradit. Ngjarja që ndodhi pak para mesnate detyroi qeverinë të shtojë praninë e forcave të rendit në veri, ndërsa Serbia kërcënon me dërgimin e 1.000 forcave të saj të sigurisë në Kosovë.
Nga ana tjetër, vendet e QUINT-it që janë Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Italia i kërkuan qeverisë së Kosovës të shtyjë datën e mbajtjes së zgjedhjeve në 4 komunat me shumicë serbe Pavarësisht kësaj në mbledhjen e zhvilluar nga KQZ e Kosovës, nuk u rekomandua shtyrje e datës së zgjedhjeve të caktuara për t’u mbajtur në 18 dhjetor.
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se vendimi i policisë për të shtuar praninë e saj në veri, ka për qëllim sigurimin e qytetarëve. Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se “Policia e Kosovës nuk ka të drejtë të shkojë në veri dhe se Serbia “do të shqyrtojë dërgimin e 1.000 forcave të saj të sigurisë” në Kosovë.
/s.f