Teksa debati për Reformën në Drejtësi dhe Byronë Kombëtare të Hetimit ka arritur në pikën kulmore, palët politike dhe përfaqësuesit e faktorit ndërkombëtar kanë intensifikuar konsultimet mes tyre.
E premtja politike ka vijuar me takime intensive. Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, ka mbërritur në Presidencë rreth orës 10.00 minuta për t’u takuar me kreun e shtetit Bujar Nishani. Në fokus të takimit janë procesi i Reformës në Drejtësi si dhe Byroja Kombëtare e Hetimit.
Ndërkohë, në “Vilën 30”. Në zonën e ish-bllokut, në të njëjtën kohë kur Meta ishte në presidencë nisi takimi i njësisë kordinuese të koalicionit qeverisës.
Mbledhjes ku ishin pjesëmarrës zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, iu bashkua edhe lideri i LSI Ilir Meta, fill pas takimit që zhvilloi me Nishanin.
Takimet vijnë vetëm një ditë pas debateve në Parlament ku opozita kundërshtoi Draftin e miratuar nga qeveria për Byronë.
Opozita argumentoi kundërshtinë saj me çështjen e varësisë së Byrosë nga Ministria e Brendshme. Sipas opozitës, Drafti i dakordësuar parashikonte që kjo strukturë të jetë në varësinë e Prokurorisë.
Ndërkohë, sipas mazhorancës si dhe referuar Draftit të miratuar në mbledhjen e qeverisë të mërkurën, Byroja do të jetë në varësinë e policisë deri në miratimin e Refromës në Drejtësi, e më pas do të jetë në drejtimin e njësisë së posaçme antikorrupsion.