Revista “Time” zgjodhi sot Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy si “Personin e Vitit” , duke theksuar se ai frymëzoi ukrainasit dhe u vlerësua në mbarë botën për guximin e tij në rezistencën ndaj pushtimit shkatërrues të Rusisë.
Duke refuzuar të largohej nga Kievi kur nisi lufta, ndërsa bombat ruse binin mbi Ukrainën, zoti Zelenski nxiti bashkatdhetarët e tij të mbrojnë vendin përmes transmetimeve nga kryeqyteti si dhe udhëtoi nëpër vendin e tij të shkatërruar nga lufta, shkruan “Time” në arsyetimin pse iu dha titulli vjetor.
Të martën, presidenti ukrainas vizitoi trupat ukrainase pranë vijës së frontit në Ukrainën lindore.
“Suksesi i zotit Zelenski si udhëheqës i kohës së luftës mbështetët në faktin se guximi është infektues. Ndjenja e guximit u përhap përmes udhëheqësit politik të Ukrainës në ditët e para të pushtimit dhe të gjithë e kuptuan se presidenti kishte vendosur të kryente detyrën që kishte marrë përsipër”, shkruan“Time”.
Shefi Ekzekutiv i kompanisë “Tesla”, Elon Musk u emërua “Personi i Vitit” nga revista “Time” më 2021, vitin kur kompania e tij e makinave elektrike u bë firma prodhuese e makinave me vlerën më të lartë në botë.
“Time” e filloi këtë traditë në vitin 1927.
/a.r