Majlinda Bregu ishte këtë të mërkurë në studion e “Opinion”, ku foli për samitin BE-Ballkani Perëndimor që u mbajt një ditë më parë në Tiranë. Por jo vetëm kaq. Ajo u pyet nga Blendi Fevziu edhe nëse i mungon politika shqiptare, ashtu sikurse edhe për artikulimin e emrit të saj si kandidate e mundshme për presidente.
Blendi Fevziu: Zonja Bregu, të mungon Shqipëria? Politika shqiptare e kam fjalën, jo Shqipëria se në Shqipëri dilni, shkoni… ai angazhim që kishe në Shqipëri?
Majlinda Bregu: Jo, të them të drejtën jo. Jam kaq e angazhuar dhe e ngarkuar në këtë punë sa nuk më mungon dhe mesa duket…
Blendi Fevziu: Por nuk zihesh me asnjeri.
Majlinda Bregu: Ky është problemi se mbase ne ishim mësuar që politikën, edhe unë, ta shihja vetëm si një arenë debati, sherri ku ti duhej patjetër të ndiheshe fitimtar kur e bëje kundërshtarin të ndihej keq. E përsëris, kam qenë unë një pjesë… por kjo lloj pjekurie më bën të mendoj që ka një moment mbase për të gjitha, eksperienca këtë të mirë ka, që flet vetë pastaj dhe të bën të marrësh qëndrimin e duhur. Ka një moment të mirë që sot për shembull më bën të mendoj që çka më pëlqen më shumë është kur politika ka rezultate. Çka më pëlqen më pak është të shoh se kë duhet të ekzekutoj nga kundërshtarët që kam përballë. Kjo s’më intereson.
Blendi Fevziu: Kjo ka qenë pjesë e zakonshme dhe vijon të jetë pjesë e zakonshme.
Majlinda Bregu: Vijon të jetë pjesë e zakonshme e luftës politike, por mund në fakt, mund të ishte pak edhe më mirë.
Blendi Fevziu: I ndjek zhvillimet në Shqipëri, apo ke më pak kohë?
Majlinda Bregu: I ndjek zhvillimet në Shqipëri, sigurisht, por mund t’i marr vesh edhe më vonë se të tjerët për shkak se mund të mos jem… mund të jem në udhëtim.
Blendi Fevziu: Ndërkohë, a qëndron ose a është pjesë e ambicieve tuaja sërish Shqipëria? Post Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal?
Majlinda Bregu: Shqipëria është vendi im, familja ime është në Shqipëri dhe unë vazhdoj të jem në një palestër politike. Nuk mund të them sot asgjë, por nuk e mohoj që Shqipëria mund të jetë…
Blendi Fevziu: Emri juaj u përmend si një kandidate e mundshme për Presidente e Republikës edhe në mbledhjen e fundit, pra atë më të ngushtën, atë ku u diskutuan 3 kandidatët e fundit të PS…
Majlinda Bregu: Po, këtë e di nga ju se nga askush tjetër nuk e di.
Blendi Fevziu: Po, s’ka rëndësi, por emri juaj u diskutua ndër emrat e fundit, së bashku me 2-3 emrat kryesorë dhe përfshirë edhe Presidentin e sotëm të Republikës. A ishit konsultuar më parë për këtë çështje?
Majlinda Bregu: Nuk jam konsultuar me askënd, nuk kam pasur asnjë bisedë me askënd. E kam thënë dhe e përsëris qëndrimin tim: mua nuk më shkonte dhe as do të kisha qenë në asnjë moment një Presidente Republike në rast se do isha propozuar vetëm nga grupi i Partisë Socialiste.
/a.r