Nga Luela Myftari
Çdo samit ka një foto zyrtare. Kështu do ta kishte edhe samiti mes Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor që u zhvillua në Tiranë. Veçse fotografia familjare e këtij samiti u shoqërua edhe me një koncert që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë në eventet të këtij lloji.
Tirana i ka mirëpritur ata me këngë e valle shqiptare duke i rrëfyer Europës kështu një pjesë të identitetit tonë kulturor. Valle Ritmet e valleve të jugut, vallja labe dhe ajo gorarçe kanë hapur koncertin që është duartrokitur prej disa nga liderët botërorë.
Koncerti ka vijuar me motivet e Rugovës, çka ka shtuar buzëqeshjen e Vjosa Osmanit, por pa ndonjë shenjë nga Vuçiç që nuk dihet nëse e ka kuptuar që motivet e kësaj valleje ishin ato të Rugovës, së Kosovës, që ende nuk ka normalizuar raportet me Serbinë.
Edhe energjia e motiveve të Tropojës dhe Kukësit ishin pjesë e valleve që u interpretuan nga valltarët e Ansamblit. Po nga institucioni i Operas dhe Baletit nuk mungoi edhe interpretimi i një pjese klasike të skenave europiane, “La traviata” e Verdit, që në fakt është edhe një nga veprat klasike në të cilët janë duartokitur dhe kanë shkëlqyer në teatrot europianë edhe artistët shqiptarë Ermonela Jaho e Saimir Pirgu.
Koncerti është mbyllur me kërcimtarët e vegjël, artistët e së ardhmes të cilët veshur me flamurin europian e mbyllën koncertin me ritme moderne, duke e bërë kështu tërësisht ndryshe fotografinë familjare të një samiti që nuk i përngjante të tjerëve, të një samiti ku përtej pozicionit zyrtar, kufijtë formalë shkrihen edhe me ato të kërcimit dhe shijes që lë arti në një event tërësisht politik.
Kjo është fotografia ndryshe, e një samiti ndryshe në këtë vend të Ballkanit që ende nuk është pjesë e Bashkimit Europian.
A2CNN