Këto dokumenta të rrallë arkivorë që mbajnë siglat “sekret” dhe “ekzemplar i vetëm” rrëfejnë fundin e Abdyl Këllezit dhe Koço Theodhosit.
Dokumentat janë publikuar për herë të parë nga gazeta Dita.
Abdyl Këllezi u lind në Tiranë në vitin 1919. Ka qenë anëtar i byrosë politike të PPSH, ish-ministër i ekonomisë dhe zv/kryeministër i Shqipërisë në vitet 1945-1975.
U ekzekutua me pushkatim.
Koço Theodhosi ka lindur në vitin 1913, në Korçë. Ka qenë anëtar i byrosë politike të PPSH dhe ministër i industrisë e minierave.
U akuzua si sabotator në 1975 dhe u pushkatua bashkë me zv.kryeministrin Këllezi (në foto gjatë një vizite në Itali).
DITA
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË / PRESIDIUMI I KUVENDIT POPULLOR
Tiranë, më 31.11.1977 / Nr. 512/1
MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME
– Drejtorisë së Hetuesisë –
PROKURORISË SË PËRGJITHSHME
Për njoftim: GJYKATËS SË LARTË
TIRANË – Presidiumi i Kuvendit Popullor, në mbledhjen e datës 31.5.1977 refuzoi t’u fali jetën:
- Abdyl Mehmet Këllezi, dtl. 1920, nga Tirana, dënuar me vendimin nr. 4 dt. 17.5.1977 të kolegjit penal të Gjykatës së Lartë me vdekje (pushkatim) për krimet e parashikuara nga nenet 72 e 73 në kombinim me nenin 76 të Kodit Penal.
- Koço Llambi Theodhosi, dtl. 1913, banues në Tiranë, dënuar me vendimin nr. 4 dt. 17.5.1977 të kolegjit penal të Gjykatës së Lartë me vdekje (pushkatim) për krimet e parashikuara nga nenet 72 e 73 në kombinim me nenin 76 të Kodit Penal.
- Xhavit Ymer Sallaku, dtl. 1929, lindur në Tiranë dhe banues në Fier, dënuar me vendimin nr. 67 datë 25.3.1977 të Gjykatës së Rrethit Fier me vdekje (pushkatim), për krimin e tradhtisë ndaj Atdheut, sabotim ekonomik dhe agjitacion e propagandë kundër Pushtetit Popullor.
- Shaban Muslim Lilka, dtl. 1907, lindur dhe banues në fshatin Miras të rrethit Korçë, dënuar me vendimin nr. 65 datë 10.4.1977 të Gjykatës së Rrethit Korçë me vdekje (pushkatim) se në bashkëpunim ka vrarë për shkaqe të dobëta Zaim Lilkën dhe ka tentuar të vrasë Pema Lilkën, si dhe ka kundërshtuar me dhunë përfaqësuesin e pushtetit.
- Osman Ymer Zalla, dtl. 1938, lindur dhe banues në fshatin Bruz-Zallë të rrethit Krujë, dënuar me vendimin nr. 26 datë 13.4.1977 të Gjykatës së Rrethit Krujë me vdekje (pushkatim) se në bashkëpunim ka vrarë për motive të dobëta Hajdar Shehun; për përvetësim të pasurisë socialiste në bashkëpunim e në përpjesëtime të mëdha; për përvetësim të pasurisë së qytetarëve, për për përvetësim të pasurisë së gjetur; për armëmbajtje pa leje dhe moskallëzimin e një krimi të rëndë.
Vendimet për personat e mësipërm të ekzekutohen me pushkatim.
SEKRETARI I PRESIDIUMIT
TELO MEZINI
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË
SEKRET
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar i vetëm
Nr. 367/1 Prot Tiranë, më 31.5.1977
LËNDA: Mbi ekzekutimin me vdekje (pushkatim) të dy të dënuarve.
MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME
DREJTORISË SË HETUESISË
Për njoftim: PROKURORIT TË PËRGJITHSHËM TË RPSSH
TIRANË – Në bazë të vendimit nr. 4 datë 17.5.1977 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë të RPSSH, janë dënuar me vdekje(pushkatim), personat e poshtëshënuar:
- Abdyl Këllezi 2. Koço Theodhosi.
Meqënëse Presidiumi i Kuvendit Popullor me shkresën Nr. 512/1 datë 31.5.1977, njofton refuzimin e kërkesës për faljen e jetës së tyre;
URDHËROJ:
Që të dënuarit Abdyl Këllezi e Koço Theodhosi të ekzekutohen me vdekje (pushkatim) në vendin e caktuar më datën 31.5.1977 ora 15:00.
Për ekzekutimin e tyre, ngarkoj grupin e caktuar të Drejtorisë së Hetuesisë.
Para se të ekzekutohen të njoftohen të dënuarit e sipërm se kërkesa për faljen e jetës së tyre, iu është refuzuar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor.
Pas ekzekutimit, i ngarkuari me këtë punë, duhet të mbajë procesverbalin e ekzekutimit të vendimit që mban edhe fjalën e fundit të të ekzekutuarve.
MINISTRI I PUNËVE TË BRENDSHME
KADRI HAZBIU
Ekzemplar i vetëm
PROCESVERBAL
Në Tiranë, më 31.5.1977
Në bazë të urdhrit të Ministrit Punëve të Brendshme Nr. 367/1 datë 31.5.1977 ora 15:00, në vendin e caktuar, në prani të prokurorit Rrapi Mino dhe të mjekut Nevzat Vigani, nga unë Idriz Seiti i ngarkuar i Drejtorisë së Hetuesisë u ekzekutua vendimi me vdekje (pushkatim) për armiqtë Abdyl Këllezi e Koço Theodhosi.
Para ekzekutimit, secili nga këta armiq u njoftua nga prokurori se Presidiumi i Kuvendit Popullor, refuzoi kërkesat e tyre për faljen e jetës. Pas kësaj ata thanë:
- Abdyl Këllezi: Nuk kam gjë për të thënë.
- Koço Theodhosi: S’kam gjë.
Në përfundim, u krye ekzekutimi i tyre nga unë Idriz Seiti dhe u kontrolluan nga mjeku Nevzat Vigani i cili konstatoi vdekjen e tyre.
I ngarkuari për ekzekutim: Idriz Seiti / Prokurori: Rrapi Mino / Mjeku: Nevzat Vigani