A2 CNN ka lexuar deklaratën e përbashkët me të cilët liderët e Bashkimit Europian dhe ata të Ballkanit Perëndimor do të dalin në përfundim të Samitit që do të zhvillohet të martën në Tiranë.
Në deklaratën e përbashkët theksohet rëndësia e partneritetit strategjik mes vendeve të Ballkanit dhe BE-së, përballë agresionit rus në Ukrainë, që po vendos në rrezik paqen dhe sigurinë globale. BE gjithashtu konfirmon përkushtimin e saj të plotë për perspektivën integruese të Ballkanit Perëndimor, bazuar në reforma të besueshme dhe parimet e meritës.
Qëndrimi bashkë me BE-në është shenjë e qartë e orientimit strategjik të partnerëve, tani më shumë se kurrë, teksa Rusia përshkallëzon luftën dhe agresionin e saj në Ukrainë. Një vizion i përbashkët për të ardhmen përfshin përgjegjësi të përbashkëta.
Në deklaratë theksohet edhe një herë se BE është partneri më i afërt i rajonit, investitori kryesor si dhe partneri tregtar e donatori më i madh.