Prokuroria e Kukësit ka reaguar në lidhje plagosjen e shtetasit egjiptian në pikën kufitare të Morinës nga policia. Në kuadër të operacionit është arrestuar K.GJ, për “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm e kryer në bashkëpunim” si dhe “Kundërshtim të punonjësve të policisë”, ndërsa janë shpallur në kërkim dy të tjerë.
Sipas prokurorisë shtetasi egjiptian (klandestin) me inicialet M.H, me kombësi egjyptiane (i ardhur klandestin në vendin tonë), është plagosur gjatë operacionit për neutralizimin e autorëve të sipërpërmendur.
Prokuroria ka urdhëruar fillimin e procedimit penal në ngarkim të punonjësit të policisë së DVP Kukës K. B., i cili ka qenë pjesë e operacionit policor, për veprën “Plagosje e rëndë nga pakujdesia”.
Njoftimi i plotë i Prokurorisë
“Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm” dhe “Kundërshtim të punonjësve të policisë”, Prokuroria Kukës arreston 1 shtetas, nis procedim penal për një punonjës policie
Sot, më datë 05.12.2022 Drejtoria rajonale AMP Dibër/Kukës në bashkëpunim me shërbimet policore të DVP Kukes, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit:
1. K.Gj. banues në Tiranë. Arrestimi i këtij shtetasi, është bërë për V. Penale “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm e kryer në bashkëpunim” si dhe “Kundërshtim të punonjësve të policisë”.
Gjithashtu u shpallën në kërkim shtetasit:
-E.M. lindur në Fier; dhe -E.H lindur në Fier.
Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin po transportonin drejt Kosovës 13 shtetas të huaj nga vendet e treta MENA.
Me cilësinë e provës materiale, u sekuestrua një automjet fugon Ëolksvagen i marrë me qira.
Gjatë operacionit policor për neutralizimin e autorëve të sipërpërmendur është plagosur një shtetas i huaj (klandestin) me inicialet M.H, me kombësi egjyptiane (i ardhur klandestin në vendin tonë).
Lidhur sa më sipër Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Kukës ka urdhëruar fillimin e procedimit penal në ngarkim të punonjësit të policisë së DVP Kukës K. B., i cili ka qenë pjesë e operacionit policor, për veprën “Plagosje e rëndë nga pakujdesia”, parashikuar nga neni 91 K. Penal. Po punohet për sqarimin e rrethanave të çështjes.’- njofton prokuroria”./m.j