Nga Eduard Zaloshnja
Në një sondazh socio-ekonomik që zhvillova në territorin e Bashkisë Tiranë (përfshirë edhe fshatrat), kisha përfshirë edhe pyetjen se kë preferojnë banorët e rritur të anketuar, ndër katër politikanët kryesorë kombëtarë – Ramën, Berishën, Alibeajn dhe Metën.
Siç pritej, shumica dërrmuese e mospjesmarrësve në zgjedhjet e vjetshme parlamentare (të 25 prillit 2021) nuk preferojnë asnjërin prej katër politikanëve të sipërpërmendur. Nga ana tjetër, shumica dërrmuese e pjesëmarrësve në zgjedhjet e vjetshme preferojnë njërin apo tjetrin, ndër katër politikanët kryesorë kombëtarë.
Kështu, ndër tiranasit që morën pjesë në zgjedhjet e vjetshme parlamentare, 47% preferojnë Ramën, 31% Berishën, 8% Alibeajn, 5% Metën, dhe 9% asnjërin nga këta (shihni tabelën shoqëruese). Për krahasim, ndër tiranasit që votuan vjet, 50.1% e dhanë votën për PS, 37.4% e dhanë votën për PD-An, 6.1% e dhanë votën për LSI, dhe 6.4% e dhanë votën për parti të tjera. (Arësyet përse votuan ashtu siç votuan nuk u eksploruan në sondazh, por një korrelacion i fortë statistikor u konstatua mes mënyrës së votimit dhe origjinës gjeografike e politike familjare të të anketuarve.)
Megjithëse duhen edhe mbi 5 muaj që të zhvillohen zgjedhjet e Tiranës, rezultatet e mësipërme të sondazhit na japin një pasqyrë paraprake të vështirësive që mund të hasë opozita më 14 maj.
Meqënëse Rama e ka deklaruar publikisht mbështetjen për kandidaturën e Veliajt në Tiranë, mund të presupozohet se simpatizantët e Ramës do të votojnë në masë për Veliajn. Nga ana tjetër, Berisha dhe Meta kanë deklaruar se do të përkrahin fuqishëm këdo që do të dalë si kandidat i tyre i përbashkët.
Por Alibeaj, politikani tjetër në këto llogari, ka deklaruar se fraksioni i tij (që pretendon se ka vulën dhe firmën zyrtare të PD-së) do të nxjerrë një kandidat të vetin në Tiranë. Dhe numri i simpatizantëve të Alibeajt është sa çereku i simpatizantëve të Berishës në territorin e bashkisë…
Nuk dihet ende se cili do të jetë kandidati i fraksionit të Alibeajt, por mund të presupozohet se ai/ajo do të jetë një kandidaturë me rrënjë lokale, që mund të thithë vota edhe nga simpatizantët e Alibeajt, edhe vota personale.
Me pak fjalë, edhe në qoftë se nuk e nxjerr një kandidat fraksioni i Alibeajt, kandidati i Berisha-Metës do ta ketë të vështirë përballë Veliajt. Dhe në qoftë se e nxjerr, malorja do të bëhet edhe më e fortë përballë kryebashkiakut aktual…