Agjentët e Byrosë Federale amerikane të Hetimeve (FBI) kanë arrestuar pothuajse të gjithë zyrtarët e një qyteti të vogël në Teksas. Në Cristal City, që numëron gjithsej 7.500 banorë, pothuajse të gjithë zyrtarët lokalë janë arrestuar, shkaku i akuzave për marrje të ryshfetit.
Prapa grilave ndodhen edhe kryebashkiaku, përfaqësuesi ligjor i qytetit, ashtu si edhe dy anëtarë aktualë dhe një ish-anëtar i Këshillit bashkiak. Para këtij aksioni tashmë ishte arrestuar një anëtar i Këshillit bashkiak, Marco Rodriguez, shkruan sot “Koha Ditore”.
Zyrtarët janë arrestuar nën akuzat se kanë marrë ryshfet dhe u kanë ndihmuar kazinove të paligjshme, në shkëmbim të shërbimeve.
Richard Durbin, prokurori kompetent për Teksasin, ka theksuar se zyrtarët akuzohen se kanë keqpërdorur postin zyrtar që të pasurohen, përmes marrjes së mitos prej personave që janë munduar të bëjnë biznes në Cristal City.
Përfaqësuesi ligjor i qytetit ndërkaq akuzohet se është pjesë e rrjetit, që në shkëmbim për mitën në shumë prej 12.000 dollarëve, këtij grupi kriminal i ka siguruar kontrata në dëm të qytetit.
Njëri prej dy anëtarëve të Këshillit bashkiak që nuk janë arrestuar në këtë aksion, Joel Barahas, ka deklaruar se qyteti është dëmtuar për dy milionë dollarë dhe se tani përballet me falimentimin potencial.
Megjithatë, është interesante se ndonëse të arrestuarit akuzohen për korrupsion, që të gjithë ata mbesin në postet e tyre, pasi që si ka thënë prokurori i Teksasit, ata janë zgjedhur në ato poste.
Si raportojnë mediet lokale, arsyeja se përse atyre nuk do t’u merren postet është se prokurori nuk ka kompetenca ta bëjë një gjë të tillë, pasi që në pyetje janë njerëz për të cilët qytetarët kanë votuar në zgjedhje, transmeton Koha.net. Deri në marrjen e vendimit rreth tyre, e vetmja mënyrë e ndërrimit është që vetë qytetarët të bëjnë peticion.
Të akuzuarit mund të dënohen me dhjetë vjet burg dhe gjobë në shumë prej 250.000 dollarësh. /Koha Ditore/