Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike (PD), Edi Paloka, deklaroi të enjten në Kuvend qëndrimin kundër të opozitës për p/ligjin e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH)-së, i miratuar të mërkurën nga qeveria.
Sipas Palokës, drafti i propozuar nuk është i dakortësuar nga opozita, vetëm se ka emër tjetër, por në fakt është i njëjtë me atë të miratuar më parë.
Një javë më parë na u tha nga kryeministri, deklaroi Paloka, se nuk do të ketë në parlament pr/ligj për Byronë e Hetimit deri sa të vijë përgjigja e Komisionit të Venecias. Por, ndërkohë ne kemi thënë se p/ligji, i dakortësuar me amerikanët dhe me maxhorancën, duhet të ketë dhe vendimin e Venecias brenda, sqaroi Paloka.
Venecia, sipas kreut të grupit demokrat, ka dhënë një përgjigje për BKH-në dhe ajo është e qartë: nuk mund të ketë Byro Hetimi në varësi të kryeministrit. Nuk ka rëndësi se si delegohet kjo varësi, tek ministri i Brendshëm apo tek dikush tjetër, por nuk mund të ketë Byro Hetimi në varësi të Kryeministrit apo ministrave të tij, theksoi Paloka.
“Sipas logjikës së thjeshtë i bie që Tahiri të hetojë Ramën apo Rama Ramën. Nuk besoj se ka shqiptar naiv të mos e kuptojë se ç’do të thotë kjo”, theksoi Paloka sot në parlament.