Një alarm për bombë në Portin e Durrësit është dhënë paraditen e sotme, teksa pas verifikimit rezultoi alarm fals.
Sipas raportimeve të para një pako e dyshimtë është pikasur në terminalin e trageteve, çka ka alarmuar qytetarët të cilët kanë njoftuar policinë.
Policia ka rrethuar zonën duke krijuar perimetrin e sigurisë dhe më pas ka kontrolluar çantën, ku sipas tyre kanë rezultuar shishe me raki dhe sende personale.
“Ju informojmë se në ambientet e jashtme të terminalit të pasagjerëve, mëngjesin e sotëm, janë konstatuar dy çanta të braktisura. Forca e Sigurisë Portuale Durrës, bashkë me qentë e kufirit dhe agjentët e Drejtorisë vendore të policisë, kreu me përpikmëri verifikimin e tyre. Nga verifikimi rezultoi se brenda çantave nuk ndodhej asnjë element rrezikshmërie (konkretisht brenda tyre ndodheshin mallra ushqimore)”, bënë me dije burime nga porti.
Sqarim i Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Durrës
Në lidhje me një lajm të publikuar në media, për një alarm për bombë në portin e Durrësit, ju bëjmë me dije se:
Në Portin e Durrësit nuk ka alarm për bombë.
Mbrëmjen e djeshme, një qytetar që udhëtonte drejt Italisë, ka harruar bagazhet në Portin e Durrësit dhe ka vijuar udhëtimin drejt Italisë. Policia, sapo ka konstatuar valixhet, ka kryer të gjitha procedurat standarde të verifikimit dhe ka rezultuar se në valixhe kishte veshmbathje, ushqime dhe sende të tjera personale të qytetarit.
/s.f