Kryetari i Parlamentit Ilir Meta tha se ka qenë një lajm i shkëlqyer që PD është dakortësuar për Byronë Kombëtare të Hetimit, por ajo që kreu kuvendit ende nuk dinte ishte deklarata e këtij mëngjesi të kreut të PD, Lulzim Basha, i cili doli kundër variantit të draftit të sjellë nga qeveria. Meta ende nuk është informuar se Basha dhe PD nuk do ta votojnë variantin e sjellë nga qeveria për Byronë Kombëtare të Hetimit, për shkak se këtë të enjte, kryeparlamentari ka patur një axhendë të zënë nga vizita e homologut të tij Slloven, Milan Brglez.
“Ka qenë një lajm i shkëlqyer që PD është dakordësuar me këtë çështje, se ajo ka pasur mosdakordësimet e saj kur ligji kaloi në kuvend. Ministrja Felaj bëri të qartë që gjithçka ka qenë e dakordësuar edhe me partnerët amerikanë, tani besoj të ketë mbërritur në kuvend dhe të fillojë menjëherë procedurat të shprehet komisioni i drejtësisë dhe të fillojë sa më shpejt nga puna, nuk shikoj asnjë shqetësim”, tha Meta.
Por më pas kanë qenë pjesëtarët e medias të cilët e kanë njoftuar Metën se opozita është shprehur kundër variantit të qeverisë. Pas kësaj Meta tha se opozita do duhet të qartësojë pozicionin e saj.
“Ne pa opozitën mund ta kishim bërë në çdo kohë, por kemi të vështirë të punojmë pa opozitën, për të mos thënë e kemi të pamundur, shpresoj që opozita të sqarojë edhe një herë pozicionin e saj”,- tha Meta.
I pyetur nga mediat lidhur me qëndrimet e deputetëve të LSI për këtë çështje, Meta tha se qëndrimi zyrtar del dhe vjen vetëm nga kryetari i partisë dhe nga kreu i grupit parlamentar, pra nga ai vetë dhe nga Petrit Vasili.
“Sa herë që dikush nuk ka qejf të bëjë diçka, thotë e pengon LSI. Ne e kemi votuar Byronë e Hetimit në Kuvend, e kemi hetuar edhe dje. Do të votojmë çdo reformë që i shërben transparencës, luftës kundër korrupsionit dhe kundër krimit të organizuar. Opinionet që mund të japë një deputet apo një përfaqësues këtu apo atje, janë mjete të komunikimit demokrat. Ne nuk i ndalojmë deputetët. Qëndrimet bazë të LSI sa i takon reformave të mëdha, i mban kryetari i saj dhe kryetari i grupit parlamentar. 19 votat tona do të jenë për reformat, me kusht që të jenë të certifikuara nga partnerët ndërkombëtarë”, tha Meta.
Milan Brglez nga ana tij, tha se Sllovenia është e kënaqur me ecurinë e reformave të ndërmarra nga Shqipëria dhe se ajo do ta mbështesë atë në përpjekjet për anëtarësim në BE. Brglez theksoi se përtej punës për reformat dhe dekriminalizimin, do duhet vullnet politik për t’i zbatuar ato.