Më datë 7 Nëntor 2022, emisioni Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus u fut brenda ambienteve të qendrës për të moshuarit, “Orenda”, në Pejë të Kosovës, si dhe zhvilloi një intervistë me avokatin mbrojtës të familjes së të moshuarës që u dhunua fizikisht brenda azilit.
Avokati deklaroi në atë kohë se përpos dhunës nga 3 infermieret, familja zbuloi gjithashtu edhe një plagë në këmbën e të moshuarës dhe kanë bërë denoncim shtesë për këtë episod.
Por mjeku i qendrës Orenda në Pejë ka sqaruar për emisionin Uniko si qëndron e vërteta. Në një intervistë dhënë për gazetarin Spartak Koka të hënën, mjeku Islam Husaj tregoi se plagën në këmbë, e moshuara e ka patur përpara se të shkonte në qendrën Orenda. Sipas tij, për shkak të kruarjes në këmbë i shkaktohej infeksion, të cilën mjeku në këtë qendër ia mjekonte.
Ai zbuloi edhe procesverbalet që ka mbajtur për mjekimin e të dhunuarës, si dhe të çdo të moshuari/eje tjetër në këtë azil.
Sa i përket dhunës së ushtruar nga 3 infermieret, mjeku Islam Husaj deklaroi se këtë rast do ta zbardhë drejtësia e Kosovës, teksa shprehur dyshimet se pas kësaj ngjarje fshihet diçka tjetër, të cilën nuk preferoi ta zbulonte për publikun.
Mjeku Islam Husaj: Më 23 Prill, Minirja ka pasur sulm epileptik këtu. Ne e kemi dërguar në spital, e kemi mjekuar dhe pastaj i kemi dhënë 7 ditë infuzione.
Spartak Koka: E keni mjekuar ju?
Mjeku Islam Husaj: E kemi mjekuar këtu. Në momentin që është bërë për spital, e kemi lajmëruar vajzën e vetë, ajo ka ardhur brenda ditës, ka qëndruar aty me nënën e vetë, por prapë e ka kthyer këtu. Në vazhdimësi të gjithë banorët të cilët i çojmë në spital ne kujdesemi për ta, shkojmë i ndërrojmë, ja ndërrojmë dhe pampersat.
Spartak Koka: Një gjë nuk kuptoj. Gjithë këto protokolle, gjithë këto libra, gjithë këto shënime, gjithë kjo procedurë, si dështuat me këto infermieret? Ju më habisni, me gjithë këto të shkruara këtu, me gjithë këto blloqe…
Mjeku Islam Husaj: Ne besojmë se drejtësia do ta zbardhë rastin deri në fund sepse këtu fshihet edhe diçka prapa kësaj. Unë nuk jam në gjendje ta them sot.
Spartak Koka: Sepse unë realisht u shtanga nga kjo që më tha familja. Ndërkohë ju më tregoni fotot, më tregoni protokollet që e keni mjekuar.
Mjeku Islam Husaj: Kjo foto është më datën 26. Do ta shikoni se ka qenë gjendja shumë më mirë tek ne se sa atje në shtëpi. Prej ditës së parë kur e pranojmë banorin i tregojmë që nuk është spital ky, është qendër për përkujdesjen e të moshuarve. Dhe për çdo gjë që do të ketë nevojë banori, ju do të jeni të informuar dhe për çdo gjë i kemi informuar.
/e.d