Siberia është një nga zonat më të ftohta dhe më pak të vizituara në botë, falë dimensioneve dhe kushteve klimaterike.
Brenda Siberisë, ekziston një rajon ku vërtetë ndihesh i hedhur me katapultë në një epokë parahistorike. Jakutia, ose Republika e Sahasë siç njihet zyrtarisht në Rusi, mban një pasuri të vërtetë natyrore, ku pa ndikimin e njeriut në disa raste ka mbetur ende në kohën e epokës së Akullt.
Thesare ky rajon i izoluar ka edhe në nëntokë, ku shkrirja e akujve dhe te shtresës së permafrostit ka nxjerrë krijesa parahistorike, duke filluar nga fildishi i çmuar i mamutëve. Por krahas dëshmive të çmuara, ngrohja e asaj zone po sjell edhe rreziqe potencialisht vrastare për njerëzit.
Një nga këto është zbulimi i disa viruseve që kanë mbetur të ngrirë për mijëra vjet, por që tashmë janë ngjallur. Më i vjetri prej tyre është Pandoravirus yedoma, që mendohet se ka jetuar më shumë se 48 mijë vjet më parë. Virusi në fjalë u gjend rreth 16 metra në thellësi të liqenit Yukechi Alas, dhe sipas virologëve bëhet fjalë për një rekord botëror.
Sipas studimeve të universitetit të Marsejës, këto ende nuk janë të rrezikshme për njerëzimin, sepse për momentin viruset e zbuluara kanë aftësinë për të infektuar vetëm organizma njëqelizore.
Por kjo nuk përjashton faktin, madje e bën shumë të mundshëm, që viruse të tjera që ndodhen aty mund të jenë shumë herë më të rrezikshme, aq më shumë vitet e fundit ku lakmia e njeriut ka çuar aventurierë të shumtë që të kërkojnë flori duke shkulur shtresat e permafrostit të shkrirë, duke e shndërruar gjithë atë rajon në një zonë të favorshme për gjenerimin e pandemive.
/a.r