Analisti Kreshnik Spahiu thotë se Shqipëria e ka penguar Kosovën në përpjekjet e saj për pavarësi nga ish-Jugosllavia.
Në emisionin “Now” në Euronews Albania, Spahiu deklaroi se vite më parë, liderët shqiptarë nuk mbronin tezën për një Kosovë të pavarur, por kërkonin një autonomi brenda ish-Jugosllavisë.
“Nga ana tjetër, nëse ne i jemi mirënjohës shumë luftërave të Kosovës që sot kemi pavarësinë e Shqipërisë, di të them që Kosova nuk e ka pavarësinë e saj si pasojë e përpjekjeve të Shqipërisë. E them këtë me bindje të plotë dhe ka ardhur një moment që duhet ta themi të vërtetën në sy.
Në vitet e fundit të përpjekjeve për shkëputje nga ish-Jugosllavia, Shqipëria më shumë i ka prishur punë përpjekjeve të Kosovës për pavarësi, sesa e ka ndihmuar atë.
Është mirë që ne të shikojmë disa të vërteta të cilat para 30 vjetësh, ata që sot mendojnë se bashkimi kombëtar është utopi, shikonin me utopi edhe krijimin e shtetit të dytë shqiptar. Krijimin e shtetit të Kosovës e shikonin të pamundur.
Para 25 vitesh, liderë të Shqipërisë, ishin për autonomi të Kosovës, apo për një republikë brenda një federate të vogë jugosllave. Askush nuk mbronte tezën e krijimit të një shteti të dytë shqiptar”, theksoi ai./m.j