Shefi i Organizimit në Partinë Demokratike të Shqipërisë, Klevis Balliu ka reaguar në lidhje me ngjarjen në Kurbin, ku gjatë një takimi për primaret ka ndodhur një konflikt me armë zjarri.
I ftuar në emisionin “Open” në News24, Klevis Balliu ka deklaruar se kjo është një ngjarje e pajustifikueshme, ndërsa e ka quajtur të rëndë edhe vetëm faktin e armëmbajtjes e jo më të qëllimit me armë zjarri.
“Cilado qoftë arsyeja , jo vetëm që është shtënë në ajër por vetëm mbajtja e armës në mbledhje është e rëndë. Do ndërmarrin hapat tona si subjekt. Nuk ka asnjë justifikim sidomos për PD. Asgjë nuk e justifikon, kjo është një çështje parimesh. Në Kurbin ka një mirëkuptim edhe për problemet që ka pasur PD ndaj jam i habitur.
Duhet parë si ka ndodhur ngjarja dhe gjendja në të cilën ka qenë personi. Megjithatë është e pajustifikueshme. Për PD këto janë një çështje me të cilat nuk ka shaka”, u shpreh Balliu.
Konflikti ndodhi mes nënkryetarit Kastriot Marku dhe anëtarit Van Rica, ndërsa ky i fundit ka qëlluar me armë zjarri dhe është larguar./m.j