Policia e Beratit ka arrestuar dy persona, të cilët u janë prezantuar policëve si punonjës të SHISH.
“Alfred Kallmi, 41 vjeç, dhe Antonio Toska, 24 vjeç, të dy nga Berati, duke udhëtuar me automjetin tip Benz me targa AA 969 MX, në rrugën nacionale Berat-Ura Vajgurore, në Moravë, kanë ndjekur nga pas duke i kërkuar të ndalojë automjetin me drejtues shtetasin F.F, 30 vjeç, banues në Durrës.
Drejtuesi i mjetit ka njoftuar policinë se nje automjet me dy persona civilë po e ndiqte nga pas duke i kërkuar të ndalonte. Menjëherë shërbimet e policisë kanë ndërhyrë duke bërë bllokimin e automjetit së bashku me dy personat, të cilët në momentin e ndalimit nga Policia janë prezantuar si punonjës të Shërbimit Informativ Shtetëror”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia sekuestroi në cilësinë e provave materiale automjetin tip Benz dhe dokumetat me të cilat pretendojnë se janë punonjës të Zyrës Qendrore Investigative me qendër në Tiranë.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprën penale “Përvetësim të titullit apo të detyrave shtetërore”, parashikuar nga neni 246/1 i Kodit Penal.