Edhe këtë vit shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut po i bashkohen festimeve për Festën e Flamurit në Tiranë. Udhëtarët janë shprehur se i kanë traditë udhëtimet drejt Tiranës për festën e Pavarësisë në Shqipëri.
“Vijm prej Shkupit për në Tiranë, na ka ngel traditë prej 2012-ës. 28 nëntorin e festojmë, edhe 17 shkurtin në Kosovë. Urojmë të vijë dita të bashkohemi në të ardhmen” – u shpreh një nga qytetarët.
Lëvizja në kufi është bërë me procedurë të thjeshtuar duke shmangur radhët. Atmosfera e festës së Flamurit është ndjerë edhe në të dy anët e kufirit në Morinë, me vendosjen e flamujve kombëtar.
“Vijmë nga Suhareka, me familjen komplet po ikim në Tiranë me festu. Ishalla veç me gëzime!”-u shpreh një tjetër.
Me flamurin me vete, 3 të rinj nga Shkupi u shprehën se po ikin për të festuar në Tiranë duke u shprehur të entuziazmuar se një ditë të gjithë shqiptarët do bëhen bashkë.