Nga Ben Andoni
Ashtu si ndodh jo rrallë me historinë tonë, ne shpesh ose në mënyrë të cunguar, përballemi me personazhe, ngjarje dhe realitete për të cilat i vlerësojmë në kohë, që janë të papërshtatshme ose më keq akoma, kur protagonistët janë të pazë. Janë orët e zbarkimit fashist në Tiranë, gjeneral Guxoni, që drejton armatën pushtuese të vendit të tij shfaqet përballë një dërgate të autoriteteve shqiptare. Përballë i qëndron një burrë shumë i impenjuar, i cili po mundohet si negociator të bëjë të pamundshmen të fitojë kohë dhe të bëjë të paarritshmen “të kthejë” dallgën pushtuese. Emri i tij u harrua që pas luftës sepse fati e kish vendosur në kohën dhe në momentin e papërshtatshëm. Kushedi se çfarë mund të thuhet sot, por Rrok Gera ka një histori interesante, ku pothuaj e jetoi pjesën e tij më produktive në regjimin monarkist dhe atë të pushtimit, por edhe të socializmit. Në dy të parat si protagonist dhe pastaj i burgosur dy herë për të njëjtin faj, por këtë herë pas kuintave të historisë sonë, të sajuar me personazhe të fryrë.
Studiuesi Arben Pustina i ka kushtuar një monografi me titullin “Rrok Gera, një burrë shteti, ashtu si duhet”, botuar në këtë vit, me ç’rast ka përshfaqur sa ka mundur një përshkrim të veprimtarisë dhe anës së tij të panjohur: Fytyrës së burokratit idealist shqiptar për të ndryshuar deridiku fatin e vendit. Por, zhgënjimi është i madh. Dhe, kjo duket në shfletimin e materialeve për të. “Jan një seri pyetjesh me randësi për problemin e prodhimit të Shqipnisë. Përgjigja e tyne nuk asht vetëm nji problem arsimor, që me anën e shkollave bujqësore dhe të artizanatit, të kurseve të veçanta…”. Të tilla vërejtje janë të shumta dhe duhet t’i lihen lexuesit t’i lexojë, kurse studiuesve t’i interpretojnë. Në punën e kujdesshme që ka bërë Pustina për herë të parë merr jo thjesht një informacion por edhe pamjen e një ekonomisti dhe mendimtari të angazhuar për përmirësimin e ekonomisë sonë.
Për të ardhur keq është fakti se ka një përpjekje gati të pareshtur që personazhe të tilla në historinë tonë të zhyten dhe të mos përmenden. Përveç socializmit, kur vetë Rrok Gera përfundoi dy herë në burg për të njëjtën akuzë (!), por edhe kohës sonë kur ka pasur një përpjekje të madhe për të rehabilituar dhe personazhe që nuk u takon, jo thjesht për bashkëpunimin me fashizmin por kontributin e pakët për zhvillimin e vendit. Këtë ka kuptuar autori, që një nga kaptinat e librat ia kushtuar fjalëve të tij në parlament, artikujve dhe shkrimeve të tjera, që e përshfaqin hapur kulturën profesionale, vizionin dhe qëndrimin e tij. Është sërish për të ardhur keq, kur lexon ato sepse një masë e madhe syresh përmbajnë realisht mendime dhe për këtë kohë.
Struktura e librit, që përbëhet nga katër kapituj, të jep kuptimin e një studimi të mirë shterues nga ana publicistike, por mbase nga ana shkencore do të duhej një krahasim profesional me problemet ekonomike-financiare të vendit, që autori e mbulon me kontributin e tij me dhënien e mendimeve dhe qëndrimeve por edhe me përshkrimin shumë të mirë të historisë nëpërmjet një kronologjie të kujdesshme.
Në pjesën e parë mësojmë origjinën dhe familjen e tij por edhe arsimimin e karakterit tonë, që ka një formim shumë të mirë austriak, ardhur nga një familje e mesme dhe dimensionin human të tij. Të mos harrojmë se do ketë një fat, që s’mund t’ia urosh askujt. Dhe, këtë e kupton dikush që ka jetuar në socializëm. Nëse do kishte qenë në nomenklaturën e lartë të para luftës e nuk do vritej, apo burgosej, jeta e një njeriu të këtij niveli patjetër do ishte një kalvar në askund. Rrok Gera e kalon atë jetë aq të gjallë edhe në kohën e okupacionit gjerman, por më shumë bëhet i njohur për pjesën më të pakët sa i përket kohës por më të madhe peshës historike (momentit të negocimit të pamundur me gjeneral Guxonin në momentin e pushtimit në Durrës), ngarkuar nga qeveria shqiptare për të negociuar me Komandën Italiane të pushtimit.
Pjesa e dytë i kushtohet fillimisht ardhjes dhe integrimit në jetën shqiptare dhe pastaj pak e nga pak pozicionit si ministër financash në qeverinë e Mehdi Frashërit, pastaj si ministër ekonomie tek qeveria e Koço Kottës, përpjekjet për kombëtarizimin e Bankës Kombëtare, 7 Prillin e vitit 1939 dhe sidomos Gjyqin Special që e dënon me shumë vite burg, por për fat jo me dënimin kapital dhe pastaj në dënimin e dytë dhe lirimin me pafajësi, si dhe vitet e fundit të jetës.
Pjesa e tretë që i kushtohet publicistikës, vërteton në masë konsideratat e autorit por edhe hapësirën dimensionale, dinjitetin dhe sugjerimet e tij, debatet parlamentare, intervista, projekt-ligje dhe shumë dokumentacion tjetër. Në to, ai nuk e kursen aspak kritikën por edhe sugjeron hapur sesi mund të zhvillohet vendi ynë në aspekte të ndryshme ekonomike dhe financiare, si mund të investohet në bujqësi dhe mënyra sesi shteti duhet të afrohet përmes mekanizmave të tij financiarë, si duhej të kombëtarizohej Banka dhe problematika të tjera. Një kulturë të mirë përshfaq edhe sa i përket organizimit të shtetit. Ja njëra syresh, ku flitet për marrjen në dikaster të një specialisti, mbrojtjen që i bën nevojës për profesionalizmin dhe logjika e tij: …”Po të pretendohet se Shteti Shqiptar ka vendosë të mos krijojë nëpunësina, atëherë mund të thuhet se ka vendosë që të mos përparojë kurr. Mos të krijojë nëpunësina qi nuk janë të nevojshme, po jo të mos krijojë nëpunësira që janë të nevojshme. Në asht se rezulton se kjo nëpunësi nuk asht e nevojshme, kam me qenë unë i pari qi t’a la me ra këtë nëpunësi, po jam plotësisht i bindun, se asht e nevojshme dhe produktive dhe i lutem Dhomës ta pranojë”, deklamon në parlament në një dokument që ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit.
Në monografi ka edhe shumë punë të tjera që duhen marrë parasysh nga studiuesit sot, që në një farë mënyrë janë të opsesionuar nga fakti se gjërat ndryshojnë vetëm në periudhën kur jetojnë ata. Rrok Gera është shembulli i mirë i burokratit shqiptar të dedikuar për ndryshimin e vendit në fushën e tij, qoftë nga ana e dinjitetit profesional por edhe kuptimit të burokratit të devotshëm, kaq të nevojshëm në kohën tonë kaotike. Një meritë e shtuar për monografinë, që meriton përgëzime, është edhe pajisja në pjesën e katërt me të gjithë literaturën e nevojshme për të hedhur vështrimin bazik mbi këtë personazh kaq interesant për të gjithë ata që do të duan të shikojnë më thellë dhe do ta interpretojnë në fushat profesionale ekonomiko-financiare Rrok Gerën. Me pak fjalë: Burokrati i ndershëm shqiptar, që donte të ndalonte më 7 Prillin e vitit 1939, pushtimin fashist të Italisë, në këtë monografi jepet me të gjithë pamjen e tij të munguar.