Dy vëllezër suedezë të akuzuar për shitjen e sekreteve shtetërore te shërbimet e inteligjencës ruse kanë dalë në gjyq në atë që është quajtur një nga rastet më të rënda ndonjëherë të spiunazhit në Suedi.
Peyman Kia, 42 vjeç dhe Payam Kia, 35, akuzohen se kanë spiunuar për llogari të Moskës përgjatë një periudhe 10-vjeçare, ndërsa vëllai i madh ka punuar më parë për shërbimet e sigurisë dhe ushtrinë suedeze.
Të dy mohojnë veprën për të ilën akuzohen, ndërsa avokati i Peyman Kias këmbëngul se prokurorët nuk kanë prova të mjaftueshme për një dënim.
Eksperti i inteligjencës Joakim von Braun e përshkroi atë si rastin më të keq të spiunazhit në historinë e Suedisë, duke vënë në dukje se të dyshuarit kishin akses në një listë të çdo punonjësi të Sapo, agjencisë suedeze të sigurisë dhe inteligjencës.
Në muajt para arrestimit të tij dhe të vëllait në fund të vitit 2021, hetuesit sekuestruan telefona celularë, një hard disk të thyer, disa pajisje të tjera ruajtëse dhe shënime që detajonin transaksionet e parave dhe të arit.