Aktivistja e Shoqërisë Civile, Brisida Gjikondi deklaroi mbrëmjen e sotme se ish kryeministri, Sali Berisha e kishte caktuar qëllimisht protestën në 6 dhjetor sepse në të njëjtën datë gjykata e Apelit jep vendimin për drejtuesin ligjor të PD-së.
E ftuar në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report TV, Gjikondi tha se Berisha e dinte shumë mirë vendimin që gjykata e Apelit do të jepte dhe prandaj kërkonte të shkaktonte kaos në të njëjtën ditë.
“Është për të ardhur keq, për herë të parë në Shqipëri kemi një samit të tillë për shqiptarët. E tmerrshme që ai samit që ka vlera për shqiptarët që aspirojnë prej 30 vitesh BE-në, në mënyrën më makabër një ish kryeministër nuk po sillet as si tropojan sepse shqiptari në kodin e tij të pashkruajtur e ka që shtëpia është e mikur dhe e zotit. Kjo që thotë ai është fyerje për ndërkombëtarët sepse ata dinë çdo gjë që ndodh këtu. Nuk bëhet kjo kur vjen miku në shtëpi. Qeveria shqiptare mirë apo keq është zgjedhur me votën e shqiptarëve.
Nuk është momenti për të pasur një manifestim të tillë. Berisha çdo gjë e bën për hallin e tij sepse pikërisht në ata ditë Gjykata e Apelit shpall vendimin për partinë Demokratike. Ai e di se çfarë vendimi është marrë dhe protesta është për të krijuar kaos. Vendimi do jepet në 2 e gjysmë”– u shpreh Gjikondi.
Ndërsa nga ana tjetër në studion e emisionit, Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Myslym Murrizi e konsideroi 6 dhjetorin si një tubim ndërsa shtoi se opozita kishte të drejtë të organizonte protesta kundër qeverisë sa herë që të dëshironte.
“Opozita është në të drejtën e saj legjitime për të bërë protesta kur t’i teket kundër qeverisë. Edhe nga deklarata e Berishës nuk pashë që është protestë kundër liderve të BE-së Madje dje i ka fut një derr shpulle ajo vajza Macronit. Ata janë robë të rritur me shpulla të protestave. Shyqyr që ia arritëm kësaj dite që mos të dalim deri në Rinas për të duartrokitur si në kohën e Mao Ce Dunit.
Unë e kam thënë edhe një herë tjetër se nëse protesta do ishte kundër liderve të BE-së, unë nuk do shkoja atje. Ne do jemi jashtë sallës ku bëjmë mbledhje ata”– u shpreh ish deputeti.
I pyetur nëse do të vepronte njësoj me caktimin e datës së protestës nëse do të ishte në krye të PD-së, Murrizi tha se do e diskutonte me anëtarët e kryesisë. Më tej ish deputeti i PD-së theksoi se në nuk mund të konsiderohej protestë asnjë organizim i bërë në Shqipëri gjatë 32 viteve sepse në raste të tilla sipas tij nuk mbahen fjalime.
“Do e diskutoja me anëtarët e kryesisë. Besoj se është diskutuar atje. Mirë do ishte të mblidhej edhe Këshilli Kombëtar, por besoj se edhe mund ta mbledhë para protestës. Unë nuk shoh asgjë të keqe që tubimi të mbahet. Ju lexojeni si të keni qef Berishën, unë e quaj tubim. Protesta nuk pyet për Berishën dhe Murrizin, nuk ka patur protestë këtu në 32 vite. Protestat ndodhin jashtë thirrjes së partive politike, në vendet ku ka frymë demokratike”- tha Murrizi.
/e.d