Leilani Simon, nëna e cila një muaj më parë kishte pretenduar se i kishin rrëmbyer djalin 20 muajsh, u arrestua të hënën. Nëna e një vogëlushi të zhdukur është akuzuar për vrasjen e tij pasi një trup u gjet në një vendgrumbullim. Departamenti i Policisë së Qarkut Chatham njoftoi të hënën arrestimin e Leilani Simon, 22 vjeç, pasi djali i saj Quinton u zhduk muajin e kaluar.
“Jemi thellësisht të pikëlluar nga ky rast, por jemi mirënjohës që jemi një hap më afër drejtësisë për të voglin Quinton”, shkruan ata në Twitter.
Vetëm 20 muajsh, Quinton pretendohej i vdekur pasi nëna e tij e raportoi atë të zhdukur nga shtëpia e saj në Savannah, Georgia. Mamaja e tre fëmijëve ndante shtëpinë me djalin e saj trevjeçar, të dashurin dhe nënën e saj. Nëna e Leilanit kishte kujdestarinë e të dy fëmijëve. Shefi Jeffrey Hadley tha: “Këtë pasdite detektivët e Departamentit të Policisë së Qarkut Chatham arrestuan 22-vjeçaren Leilani Simon dhe e akuzuan atë për vrasje me dashje, fshehje të vdekjes së një personi tjetër, raportim të rremë dhe deklarata të rreme në lidhje me zhdukjen dhe vdekjen e djalit të saj.
Vogëlushi u raportua i humbur më 5 Tetor të këtij viti, dhe Simon pretendonte se djali ishte rrëmbyer rreth orës 9 të asaj mbrëmjeje. Dyshimi filloi pasi Diana McCarta, dadoja e fëmijëve, mori një mesazh ku i kërkohej që ditën t’a merrte pushim, pasi mamaja nuk do punonte atë ditë. “M’u duk pak e çuditshme sepse zakonisht, unë i mbaj fëmijët edhe kur mamaja e tyre punon.”, u shpreh dadoja McCarta. Një javë pas zhdukjes së Quinton, policia konfirmoi fillimin e një investigimi.
Shefi Hadley konfirmoi se mbetjet njerëzore ishin gjetur në një vendgrumbullim pas një kërkimi prej një muaji të premten. Një laborator i FBI-së konfirmoi se mbetjet ishin njerëzore. Ai tha: “Testimet shtesë, duke përfshirë analizën e ADN-së, janë duke u kryer dhe ne kemi çdo arsye të besojmë se kjo do të konfirmojë se eshtrat janë të Quentin-it.
“Ky është një zhvillim therës për të gjithë ata që e donin Quinton, për shumë njerëz që e njohën atë pas zhdukjes së tij dhe për departamentin tonë”. Policia tha se Simon tani po transportohet në Qendrën e Paraburgimit të Qarkut Chatham për të pritur një seancë dëgjimore dhe ata “nuk parashikojnë ndonjë arrestim tjetër në lidhje me këtë rast”. “Ajo nuk e meriton Ditën e Falënderimeve”, shtoi Hadley.
Agjenti special i FBI-së Will Clark shtoi se ajo që ndodhi me Quinton ishte “e paimagjinueshme”, por tha se mund të ishin “ditë përpara se të kemi rezultatet përfundimtare” të testit të ADN-së.
/e.d