Presidenti polak ka rënë pre e një telefonate mashtruese që pretendonte të ishte Emmanuel Macron i Francës në natën që një raketë goditi një fshat afër kufirit ukrainas, tha zyra e tij të martën.
Sipas Reuters, në një regjistrim 7 minutësh të thirrjes të postuar në internet nga komedianet rusë Vovan dhe Lexus, presidenti polak Andrzej Duda mund të dëgjohet duke folur në anglisht me telefonuesin, i cili përpiqet të mbajë një theks francez.
“Emmanuel, më beso, jam tepër i kujdesshëm. Nuk dua të kem luftë me Rusinë dhe më besoni, jam tepër i kujdesshëm, tepër i kujdesshëm”, i thotë Duda telefonuesit.
Thirrja, hera e dytë në vitet e fundit që shakaxhinjtë nga Rusia ia dolën të arrinin të vinin në lojë Dudan, erdhi në një mbrëmje kur bota kishte frikë se konflikti në Ukrainë mund të dilte përtej kufijve të saj.
“Pas shpërthimit të raketës në Przewodow, gjatë telefonatave të vazhdueshme me krerët e shteteve dhe qeverive, u lidh një person që pretendonte se ishte presidenti francez Emmanuel Macron. Gjatë telefonatës, presidenti Andrzej Duda kuptoi nga mënyra e pazakontë që bashkëbiseduesi e zhvilloi bisedën se mund të kishte pasur një tentativë mashtrimi dhe i dha fund bisedës”.- shkroi zyra e Dudës.
Në vitin 2020, Vovan dhe Lexus e telefonuan Dudën duke pretenduar se ishin Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres, duke ngritur pyetje në lidhje me sigurinë dhe kontrollin e thirrjeve në zyrën e Dudës.
Vovan dhe Lexus njihen në Rusi për shënjestrimin e të famshmëve dhe politikanëve me telefonata shakaje dhe në të kaluarën kanë mashtruar Macron, këngëtarin britanik Elton John dhe ish-kryeministrin britanik Boris Johnson, ndër shumë të tjerë./m.j