“Rreth orës 22:00 të mbrëmjes së pardjeshme nga dritaret pamë të shfaqeshin dritat vezulluese të karabinierëve, më pas befas klithma zemërthyese, të dëshpëruara, të pafundme. Ata ishin të afërmit që kishin marrë vesh për vrasjen e Mynevere dhe Floninos. Britmat që na thyen zemrat, na dhanë goditje”.
Kjo është dëshmia e Monikës, një nga fqinjët e Mynevere Karabollaj, 37-vjeç dhe Flonino Merkuri, 23-vjeç, çifti shqiptar që u vra me thikë mbrëmjen e së dielës së 20 nëntorit nga ish-bashkëshorti i saj, Viron Karabollaj, 40 vjeç.
Mediat italiane raportuan se ky i fundit pasi vrau çiftin bëri vetëvrasje në kasollen e kompanisë ku punonte në Chirignago.
Vrasja e dyfishtë ndodhi në shtëpinë në via Leopardi, në Spinea. Në këtë banesë jetonte Mynevere me dy vajzat e saj 15 dhe 13 vjeç dhe partnerin e saj Flonino.
Deri para disa vitesh në këtë shtëpi jetonte edhe ish-bashkëshorti i saj Viron. Pastaj ndarja e stuhishme dhe epilogu tragjik filloi në jetën e tyre.
“I kam njohur. I kam përshëndetur, por asgjë më shumë, punoj jashtë gjithë ditën dhe u takuam kalimthi. Më duket se ish-burri ishte larguar para disa vitesh. Kur erdha të jetoj këtu në 2018, ata ishin tashmë atje, mendoj se kanë ardhur në 2015”, tregon Monika që jeton në anën tjetër të rrugës, pak metra larg shtëpisë së krimit, shkruajnë mediat italiane.
“Mynevere, e njihja mirë. Ajo nuk ishte thjesht një person i mirë, ajo ishte një grua e shkëlqyer. Punëtore dhe nënë e madhe. Ajo ishte gjithashtu shoqe e ngushtë me gruan time të ndjerë. Mynevere punonte si estetiste”, thotë Bruno, komshiu i moshuar të çiftit të vrarë.
“Të gjithë banorët e via Leopardi, një rrugë e vogël në një zonë banimi të Spinea, jo shumë larg via Roma, janë të tronditur. Nuk e kisha imagjinuar kurrë një gjë të tillë. Nuk e di nëse ka lidhje edhe xhelozia, por si mund të arrish deri në këtë pikë?”, shprehet një banor tjetër që jetonte në zonë.
/a.r