Opozita ka paralajmëruar protestë më 6 Dhjetor në një kohë ku në Tiranë pritet të zhvillohet edhe samiti BE-Ballkani Perëndimor. Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, tha për emisionin Opinion se protesta nuk do të pengojë mbarëvajtjen e samitit. Ai u shpreh se vendimi për orarin dhe vendin ku do të zhvillohet protesta do të merren në mënyrë të tillë që të mos pengojnë mbarëvajtjen e samitit.\
Aldo Bumçi: Këto detaje nuk janë caktuar ende për shkak se ne nuk do të pengojmë, nuk duam të pengojmë dhe nuk do të pengojmë mbarëvajtjen e samitit.
Blendi Fevziu: Ç’do me thonë, nuk doni dhe nuk do ta?
Aldo Bumçi: Ne do të mbajmë një manifestim dhe protestë për miqtë tanë europian. Do tregojmë që jemi një popull dhe një opozitë proeuropiane, por për të treguar në të njëjtën kohë që qeverisemi nga një regjim autoritar që në vitin e 10 nuk ka lidhje me demokracinë. Kjo protestë nuk ndikon mbarëvajtjen e samitit prandaj vendi dhe ora, vendimi do merret duke pasur të dhënat përkatëse.
Bumçi tha se nuk do të ketë asnjë problem teknik, dhe se opozita do të ofrojë mikpritje për europianët. Ai u shpreh se nëse samiti do të mbahet në Kryeministri, protesta nuk do të zhvillohet aty.
Blendi Fevziu: Po më thoni që orari dhe vendi i protestës nuk janë përcaktuar akoma. Po nëse ju e përcaktoni këtë protestë para Kryeministrisë shumë afër ku zhvillohet samiti?
Aldo Bumçi: Ne do evitojmë çdo gjë të tillë. Nuk do të ketë asnjë problem për mbarëvajtjen. Nëse samiti mbahet në Kryeministri, protesta nuk do të jetë siç është bërë zakonisht para kryeministrisë.
/a.r