Një çift shqiptar, burrë e grua, janë vrarë me thikë në Itali. Krimi ka ndodhur gjatë natës të së dielës në zonën e Spinea. Ata u gjetën të vdekur brenda banesës së tyre nga karabinierët. Policia shkoi për verifikim pasi u sinjalizua nga vajza e gruas së ndjerë, e cila ishte alarmuar për shkak se nuk kishte mundur të kontaktonte me nënën e saj.
Fillimisht u mendua për krim brenda familjes, që burri të kishte vrarë gruan dhe më pas të ishte vetëvrarë. Por gjatë orëve të mëvonshme, hetuesit italianë nxorrën pistën e vrasjes. Një person i tretë ka qenë në skenën e krimit.
Në vendngjarje autoritetet italiane gjetën një pistoletë dhe një thikë. Por çifti shqiptar, sipas mediave italiane, rezulton të jetë vrarë me thikë.
Policia ka shpallur në kërkim ish-bashkëshortin e gruas së vrarë, si person të dyshuar, i cili është gjithashtu shqiptar.
/a.r