Në konferencën e organizuar nga USAID për ligjin mbi financat vendore, ku morën pjesë drejtues të njësive vendore dhe ekspertë të fushës, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, theksoi rëndësinë e rritjes së kompetencave të pushtetit vendor.
“Unë besoj te transferimi i kompetencave. Kur dikush zgjidhet kryetar bashkie nënkupton të drejtën për t’u zgjedhur, të drejtën për të taksuar dhe të drejtën për të shpenzuar. Besoj se ky është një moment i mirë që në këtë ligj, të jemi bashkë me qeverinë”, tha Veliaj. Sipas tij, nga të gjithë kryetarët e bashkive pranohet se është nonsens që ata duhet të negociojnë me qeverinë se sa do yë jetë taksa e një tabele reklamuese. Ai solli në vëmendje se kjo duhet të jetë një kompetencë totalisht lokale.
Kryebashkiaku i Tiranës theksoi se disa prej taksave që caktohen nga Ministria e Financave, si taksa e pronës, duhet të kalojë nën kompetencën e bashkisë. Sipas tij, sot në Tiranë kemi taksat më të ulëta se në të gjitha kryeqytetet e rajonit. “Nuk po kërkojmë rritjen e nivelit të taksimit, por të rritet baza, niveli i kompetencave që kemi për të bërë diferencime brenda komuniteteve që menaxhojmë”, u shpreh ai.
Nga ana tjetër, Veliaj theksoi se qeveria e ka përkrahur Bashkinë e Tiranës për t’u futur në partneritete publike, ku për financat që mungojnë të ftojë sipërmarrjen për të ndërtuar shkollat e nevojshme për Tiranën. “Kësaj here jo për të ndërtuar një shkollë në vit, por për të marrë brenda një viti 25-30 shkolla dhe pastaj për t’i paguar me të njëjtën shumë vjetore në formë kësti. Kjo do të na jepte mundësinë të zgjidhim menjëherë dramën e madhe sociale për infrastrukturë arsimore, duke i dhënë fund shkollave me dy turne”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës u bëri sërish thirrje bashkive që nuk janë pjesë e shoqatës së bashkive, për t’u bashkuar dhe për të qenë bashkë në mbrojtje të interesave të njësive vendore.