Vetëm pak ditë para nisjes së Panairit të Librit, Namik Dokle ndau me lexuesin shqiptar lajmin e bukur se romani i tij “Vajzat e mjegullës” ishte botuar në spanjisht.
Sot, në këtë ngjarje të rëndësishme për librin në Tiranë, shkrimtari prezantoi veprën e tij të fundit “Covid 1984”, në krah të përkthyeses Maria Roces Gonzales.
Pse e shkroi “Covid 1984” Namik Dokle dhe sa flet ky libër për pandeminë është pyetja e parë e lexuesit që ka mbërritur në prezantimin e veprës.
“Në periudhën e Covid gjeta “shtëpinë” ku mund të bëhej ajo bisedë lidhur me atë që vuajtëm, jo thjesht sëmundja, por edhe ajo që kemi kaluar më përpara. Libri nuk ka të bëjë me viruset, por fut në spitalin Covid ato që kanë ndodhur edhe shumë më përpara. Sepse në atë spital gjendet edhe i torturuari, edhe torturuesi. Jetën duhet ta jetojmë, në mënyrë që të mos kemi pendesa në të ardhmen”, thotë Dokle.
Me këtë mesazh për të mos u penduar, autori tregon edhe dilemat për titullin e librit: “Fillimisht, e kam pasur titullin Pendimia”.
Ky libër që kthehet sa pas në kohë, po aq edhe afër në aktualitet, vjen me thirrjen e vetme për ta vlerësuar jetën që kërcënohet çdo ditë nga një tiran./m.j