Kanceri i prostatës tek meshkujt është sëmundja e dytë më e përhapur pas kancerit pulmonar dhe rezulton një nga sëmundjet më agresive pasi metastazat përhapen me shpejtësi. Simptomat fillestare shpeshherë mungojnë, duke u shfaqur në fazë të avancuar.
“Është sëmundja e dytë më e përhapur tek meshkujt. Faktorë janë mosha intetiteti dhe predispozicioni gjenetik. “Shfaqet pas moshës 50-vjecare dhe më e shpeshtë pas të 60-tave. Është sëmundje asimptomatike, fillon dhe jep shenjat e para klinike me hemoragji”, tha kirurgu urolog, Anton Ndoj.
Më të prekur janë meshkujt e moshës së tretë për shkak të ndryshimeve hormonale, por nuk mungojnë as rastet sporadike nën të pesëdhjetat. Shefi i Urologjisë, Anton Ndoj tha se diagnoza vendoset përmes analizave dhe biopsisë, ndërsa trajtimi kryhet në spitalin e Durrësit.
“Për trajtimin e kancerit të prostatës, sa më herët të kapet, aq më mirë, për trajtim përdoret kirurgjia, dhe në varësi të vlerave të PSA trajtimi mund të bëhet me citostatike të ndryshëm”, u shpreh dr. Ndoj, i cili drejton pavionin e Urologjisë në Spitalin Rajonal të Durrësit.
Për zbulimin e hershëm të kancerit në prostatë ekzistojnë dy metoda: Shqyrtimi daktilik i prostatës ose siç quhet ndryshe “ekzaminimi rektal digital” dhe përcaktimi i vlerës së PSA në gjak, analizë që kryhet me rekomandimine mjekut. Por në vendin tonë meshkujt nuk kryejnë ekzaminime të hershme, ndaj kërkohet më shumë ndërgjegjësim për të parandaluar fatalitetin.
/e.d