Nga Mero Baze
E para gjë që më ka mbet në mendje dhe që ka qenë konstante deri në fund, nga gjithë materialet që kam lexuar, nga gjithë dosjet dhe korrespondencat e Qeverisë së Kosovës, LDK, LPK, UÇK, presidentit, veprimtarëve, atyre që lavdëronin dhe shanin Qeverinë, kishin një gjë të përbashkët: Ata besonin se e kishin bërë shtetin e tyre.
Në gjithçka që mund të lexoni për çfarë ndodhte, nga krijimi i LDK deri tek çlirimi i Kosovës, ti shikon se njerëzit, qytetarët e Kosovës, biznesmenët apo gazetarët, sillen ndaj institucioneve formale të Kosovës si ndaj një shteti të vërtetë.
Dhe këtu kemi të bëjmë me atë që quhet vetëdije shtetërore. Në subkoshiencën e shoqërisë së Kosovës ka ekzistuar vetëdija e të qenurit shtet. Me ato pak liri politike që fituan nga Kushtetuta e vitit 1974, ata praktikisht kishin filluar të silleshin si Republikë dhe kishin krijuar një vetëdije shtetërore.
Universiteti, gazetat, televizioni, hapja e lakmueshme me Shqipërinë deri në vitin 1981, si dhe difuzioni kulturor mes dy vendeve, kishte bërë punën e vet.
Pra desha të them se “Republika e Parë” nuk ka lindur në një tokë shterpë. Fara e saj ishte mbjelle me kohë në shoqërinë e Kosovës dhe ata funksionin në mendjen e tyre si një Republikë brenda Jugosllavisë.
Gjëja e dytë e madhe e besueshme dhe e vërtetë ka qenë krijimi i përfaqësimit politik të shqiptarëve. Krijimi i LDK nuk ishte thjesht krijim i një partie politike. Krijimi i LDK, ndryshe nga çdo parti tjetër, është rrënim i LKJ në Kosovë.
Pra LDK nuk u krijua se ishte nevoja thjeshtë për një alternativë. LDK u krijua për të zëvendësuar përfaqësimin potikti të shqiptarëve, duke ja hequr Partisë Komuniste dhe duke ua dhënë përfaqësuesve të shqiptarëve.
Për herë të parë në historinë tyre në Jugosllavi, shqiptarët i kanë zgjedhur vet përfaqësimin e tyre politik pikërisht me LDK. Dhe ky ishte një përfaqësim që bota perëndimore e njohu menjëherë.
Perëndimi nuk njohu Republikën, nuk njohu Qeverinë, por njohu Ibrahim Rugovën dhe Bujar Bukoshin si përfaqësues të shqiptarëve të Kosovës për dhjetë vjet. Pra ata arritën t’ia marrin edhe zyrtarisht serbëve përfaqësimin politik të shqiptarëve.
Gjëja e tretë e madhe ka qenë ndryshimi që bëri në Perëndim qasje demokratike për zgjidhjen e problemit të Kosovës. Deri në vitin 1989, çdo përpjekje e shqiptarëve për liri në Kosovë, ose kishte konotacion nacionalist, të lidhur me komunizmin në Shqipëri, ose konotacion fashist, si ajo e vitit 1941- 1944, kur Kosova ju bashkua formalisht Shqipërisë nga fashizmi italian e më pas gjermanët.
Në të dyja rastet Perëndimi se ka pranuar.
E vetmja mënyrë për të futur Kosovën në kancelaritë perëndimore ka qenë qasje demokratike e Ibrahim Rugovës, paraqitjen e problemit të Kosovës si një problem i të drejtave të njeriut, lirive politike dhe pluralizmit politik kundër komunizmit jugosllav.
Po t’i shtosh kësaj dhe formimin realisht perëndimor të Rugovës dhe Bukoshit, gjuhën me të cilën ata u bënë të pranueshem në zyrat e SHBA dhe Bashkimit Evropian, ti e kupton se lëvizja e tyre jo vetëm futi Kosovën në agjendën e Perëndimit, por pengoi masakrën e parë më të madhe që mund të ndodhte nga Serbia në Ballkan, e cila nuk do ishte Bosnja apo Kroacia, por Kosova.
Ibrahim Rugova e shmangu, e ngriu dhe e shtyu konfliktin deri pas Daytonit, ku u zgjidh dhe problemi i Bosnjës.
Pas Daytonit, në skenë doli UÇK, e cila e radikalizoi situatën dhe provokoi Serbinë të ndërhynte ushtarakisht në Kosovë, duke djegur e shkretuar qindra fshatra dhe duke krijuar rreth 500 mijë të pastrehë në vitin 1998.
Kjo bëri që Perëndimi të kthejë sytë seriozisht nga Kosova. Dhe ashtu siç ka thënë Hashim Thaçi, duke përkujtuar Rugovën, “lufta jonë ka qenë përpjekja për të shpëtuar rrugën paqësore të Ibrahim Rugovës, duke siguruar ndërhyrjen ndërkombëtare dhe çlirimin e Kosovës”.
Mendoj se do të mjaftonin këto tri gjëra për të kuptuar sa e rëndësishme ka qenë lëvizja politike për “Republikën e pare”, ndoshta lëvizje më e rëndësishme e shqiptarëve në shekullin e 20 pas asaj të shpalljes së pavarësisë në Vlorë më 1912.
*Fjala e mbajtur në promovimin e librit “Republika e parë”
Saktë dhe kompetitiv o Mero Baze.
Me ç’ngjet sot në Kosovë, nga Albin Kurti e Vjosa Osmani, në Krujë i thonë “ I KA ZËNË LESHI SYTË”, duke çuar ujë, në mullirin Serb, e duke minuar gjithë arritjet e deritanishme. Dhe gjasat siç po duken qartë, janë që perëndimi dhe SHBA të tërhiqen, dhe të rikthehen përseri siç ishin, nën Serbi, duke u dhënë kosovareve, një autonomi substanciale. Respekt Mero.