Klubet e futbollit që kanë furnizuar ekipet kombëtare në kualifikueset e kampionatit europian do të marrin 100 milionë euro nga UEFA, shpërndarë në bazë të kritereve të caktuara më parë.
Nga kjo premio do të përfitojnë edhe klubet shqiptare, që kanë pasur lojtarë në kombëtare të ndryshme, shkruan Panorama Sport. Skënderbeu është ai që udhëheq listën me 60 mijë euro, ndërsa Flamurtari dhe Partizani e ndjekin me nga 52 mijë euro. Edhe Tirana do të përfitojë 32 mijë euro.
Si funksionon
Çdo skuadër në Europë që ka një lojtar në listën e 23 të grumbulluarve për zhvillimin e një ndeshjeje përfiton 4 mijë euro për lojtar. Kjo do të thotë se futbollistët që aktivizohen në formacionin bazë, por edhe ata që qëndrojnë në stol kanë të drejtë të marrin 4 mijë euro nga UEFA. Kjo bëhet për të ndihmuar ekipet e ndryshme dhe për të treguar se nga grumbullimi i lojtarëve nuk ka vetëm aspekt negativ.
“UEFA nuk i ka bërë kalkulimet përfundimtare, por mund të themi se shifra shkon afro 4 mijë euro për një lojtar që ka marrë pjesë në eliminatoret e Europianit”, ka thënë sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Klubeve Europiane.
Kombëtarja
Shpeshherë lista e Kombëtares shqiptare është e mbipopulluar me futbollistë që nuk aktivizohen në Kategorinë Superiore, por ky fakt nuk ka penguar që Skënderbeu, Partizani dhe Tirana të përfitojnë. Skuadra kampione ka pasur gjithmonë prezent portierin Orges Shehi, i cili u sjell korçarëve 32 mijë euro.
Edhe sulmuesi Hamdi Salihi ka luajtur 3 ndeshje me Kombëtaren, që nga koha kur ishte pjesë e Skënderbeut.
Nga prezenca në Kombëtare fiton edhe Partizani, me 7 prezencat e portierit Alban Hoxha (në stol) dhe 3 nga Emiljano Vila. Edhe bardheblutë e Tiranës do të arkëtojnë 16 mijë euro nga prezencat e Debatik Currit, por edhe 4 mijë euro nga Bulku.
Të huajt
Rrallëherë ndodh që në klubet shqiptare të luajnë futbollistë të huaj që grumbullohen nga kombëtaret e tyre, por fati i ka buzëqeshur Flamurtarit. Treshja gjeorgjiane Popkhaze-Gelazhvili-Tshakadaze ka luajtur plot 13 ndeshje në total me kombëtaren e tyre (në kohën kur ishin lojtarë të Flamurtarit). Ky fakt shton në arkat e vlonjatëve 52 mijë euro.
Edhe 3 skuadrat e sipërpërmendura kanë pasur në përbërjen e tyre futbollistë që kanë luajtur me kombëtare të tjera.
Skënderbeu arkëton 16 mijë euro nga Ventislav Hristov (4 ndeshje me Bullgarinë), ndërsa mbrojtësit Ristevski dhe Cuculi i sjellin Partizanit dhe Tiranës përkatësisht nga 12 mijë euro sepse janë grumbulluar 3 ndeshje me Maqedoninë.
Panorama Sport