Kryeministri turk Ahmet Davutoglu u zotua për të kthyer një “borxh historik” për “vëllezërit e Aleppos”, të cilët ndihmuan për të mbrojtur vendin në fillim të shekullit të 20-të.
“Ne do tua kthejmë borxhin tonë historik. Dikur, vëllezërit tanë nga Aleppo kanë mbrojtur qytetet tona si Sanliufa, Gaziantep, Kahramanmaras, e tani ne do të mbrojmë Aleppon heroik. E gjithë Turqia qëndron prapa mbrojtësve të saj”, ka thënë Davutoglu në takimin e fraksionit parlamentar të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim, raporton televizioni Russia Today.
Deklarata alarmuese vjen më pak se një javë pasi Ministria e Mbrojtjes e Rusisë paralajmëroi se Turqia po përgatit një pushtim ushtarak të Sirisë dhe se është duke u përpjekur për të fshehur aktivitetin e paligjshëm në kufirin e saj me Sirinë.
“Ne kemi prova të rëndësishme për të dyshuar se Turqia është në mes të përgatitjeve intensive për një pushtim ushtarak në territorin sovran të Sirisë”, u ka thënë gazetarëve në Moskë, zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, gjeneralmajor Igor Konashenkov.
Zhvillimet e reja vijnë pasi forcat e xhihadit të cilat po luftojnë ushtrinë e presidentit Bashar Asad në veri të Sirisë janë duke vuajtur humbje dhe po tërhiqen drejt kufirit turk.