Gjyqtari i Vlorës Petrit Aliaj, i cili ka marrë pjesë në heqjen e dënimit të përjetshëm për Dritan Dajtin është larguar përfundimisht nga sistemi i drejtësisë. Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka lënë në fuqi vendimin e Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) që e shkarkoi atë nga detyra, pasi nuk justifikonte pasurinë.
Komisioni i Vetingut prezantoi si problematike pasuri të tjera të gjyqtarit Aliaj si një truall në Delvinë, mos justifikim të shumës rreth 70 mijë euro për ndërtimin e një ndërtese tre kate mbi tokë dhe një kat nën tokë, probleme me pasurinë e bashkëshortes dhe mosjustifikim të shpenzimeve për shkollimin e fëmijëve.
“Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Ina Rama kryesuese, Albana Shtylla relatore, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr. 48/2020, datë 10.11.2020, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Petrit Aliaj kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 260, datë 15.06.2020.
Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi: Lënien në fuqi të vendimit nr. 260, datë 15.06.2020 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Petrit Aliaj. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm. U shpall sot, në Tiranë, më datë 16.11.2022”, thuhet në njoftim.
Petrit Aliaj është shkarkuar edhe në vitin 2004 nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, por Gjykata e Lartë e riktheu në detyrë dy vjet më vonë. Në vitin 2005 ai është paguar me 47 mijë dollarë nga vëllezërit Balili, si konsulent ligjor i tyre. Por, Komisioni i Vetingut nuk ia ka konsideruar të ligjshme këto para. Në vitin 2015, ILDKPKI e kallëzoi gjyqtarin Aliaj për fshehje pasurie, por nuk i hyri ‘gjemb në këmbë’, ndërsa edhe KLD-ja refuzoi ta shkarkonte./m.j