Kryeministri i vendit, Edi Rama pasditen e sotme ndodhej në Berat. Në bashkëbisedimin me qytetarët, kreu i qeverisë theksoi se se kjo e fundit është e vetëdijshme për vështirësitë dhe problemet që të rinjtë hasin në përditshmëri.
Për shkak të luftës në Ukrainë, është një kohë e re për botën, një kohë kërcënimi dhe një kohë kur ushqimi rrezikon të kthehet në një armë për të bërë dëm te të tjerët, sipas tij.
Duke u ndalur te kriza energjitike, kryeministrit theksoi se çmimi ka arritur në stratosferë. Por, asgjë nuk është si më parë edhe në aspektin pozitiv.
Rama: Berati nuk është si më parë. Padiskutim që nuk është ende ai që duhet të jetë dhe për këtë arsye duhet të vijojmë të punojmë së bashku me të gjithë ata që kur i thonë vetes shqiptarë dinë se çfarë thonë. Ne sot kemi të gjitha arsyet të besojmë se këtë transformim të nisur mund ta çojmë deri në fund dhe shumë çka mbetet për tu bërë mund ta bëjmë sepse e kemi provuar që gjërat bëhen. Duan kohën dhe durimin e tyre, por bëhen. Në këtë moshë qe jeni ju është e natyrshme t’i bësh vetes pyetjen “ku dua të jetoj unë?”
Kryeministri theksoi se nuk do t’i thotë çfarë zgjedhje të bëjnë, por theksoi se të bësh një zgjedhje për të provuar veten në një vend tjetër është e natyrshme, por të thuash do shkoj në një vend tjetër se në Shqipëri nuk ka mundësi kjo nuk është e vërtetë.
Rama: Këtu ka vështirësi, por kudo ka vështirësi. Askund nuk është shtruar një tapet i kuq ku po presin të shkosh ti dhe të kesh një jetë siç e ëndërron. Kudo duhet të bësh sakrifica dhe duhet të punosh shumë për të arritur atë që do.
Kryeministri përsëriti thirrjen që të rinjtë të qëndrojnë në Shqipëri dhe të luftojnë në vendin e tyre për të realizuar ato që ëndërrojnë, pasi vendi ynë ofron pafund mundësi.
/e.d