Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehu tha për Euronews Albania se në protestën e opozitës të zhvilluar më 12 nëntor duhet të kishte ide dhe figura të reja në podium.
“Protesta është një gjë e mirë. Mblodhi njerëzit. Njerëzit në shesh nuk i mblodhi vetëm Meta dhe Berisha me mbështetësit, por qytetarët dolën aty edhe për Ramën me zullumet e veta.
Kjo është pozitive që qytetarët protestojnë. Do kisha pritur që tek tribuna e protestës të vinin ide të reja, fytyra të reja. Megjithatë ka kohë nga këtu deri në zgjedhje që opozita të bashkohet tek një kandidat opozitar”, u shpreh Shehi.
Ai shtoi se preferon njerëzit të rinj, drejtues të rinj për opozitën.
Teksa u pyet për Sali Berishën dhe Ilir Metën, ai tha se për të mbërritur atje ku duam kemi nevojë për forca të reja në fushë.
“Kjo opozitë që është sot ka qenë kontribuuese për të krijuar këtë sistem politik që është sot me ndryshimet e vitit 2008 në Kushtetutë dhe në ndryshimet në Kodin Zgjedhor, është dhunuar sistemi politik. Është prodhuar një kënetë politike.
Opozita duhet të bëjë një rindërtim 360 gradë të mendimit të vetë politik, që të afrojë të gjithë palët dhe qytetarin gri”, tha ai./m.j