Poetja Mimoza Ahmeti është dënuar me 40 orë pune publike për shkak të ndërtimit pa leje të një objekti 2 katësh në fshatin Petrelë. Report Tv ka siguruar dokumentin e prokurorisë që tregon se më shumë se një vit më parë, më 23.09.2021 u mor njoftim se po kryhej ndërtim pa leje.
Pasi policia ka shkuar në fshatin Petrelë, është konstatuar një objekt i papërfunduar, dy katësh me kolona betoni ndërsa në atë moment nuk po kryheshin punime ndërtimi. Report Tv ka siguruar edhe fotografinë e objektin që po ndërtohej. Pas hetimeve, në kërkesën që prokuroria i dërgoi gjykatës thuhet se objekti i përkiste Mimoza Ahmetit.
Por poetja ka deklaruar se punimet janë kryer në vendin e shtëpisë së saj ekzistuese që u shemb nga tërmeti. Ajo pretendonte se kishte marrë lejen e rindërtimit dhe punimet ishin kryer nga muaji maj i vitit 2021.
Por në përgjigje të prokurorisë, Drejtoria e Përgjithshme e Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit pranë Bashkisë Tiranë informon se ‘nga verifikimi i sistemit elektronik e-lejet konstatohet se nuk ka aplikim për leje ndërtimi, rindërtimi apo rikonstruksioni dhe riparimi të ndërtesës së dëmtuar nga fatkeqësia natyrore’. Ahmeti u bë kështu rasti i dytë i personazheve të njohur që dënohet për ndërtim pa leje pas këngëtarit Bojken Lako.
Për këtë reagoi edhe kryeministri Edi Rama, i cili u tregua sërish i ashpër me Prokurorinë e Tiranës. ‘Mbretëri Xhuxhash’ e ka quajtur Rama, njëjtë si një prej botimeve të poetes, ndërsa vë në qendër të kritikave Prokurorinë e Tiranës se po godet më të dobëtit, ndërsa po favorizon oligarkët e ndërtimeve pa leje dhe lë të patrazuara dosjet me evazion dhe fitim miliona dollarë./Shqiptarja.com